“I zhdukur pa asnjë gjurmë” Australiani i humbur prej 39 ditësh në alpet shqiptare, gazeta ‘The Advert­iser’ ndërton kronologjinë

Një shtetas australian i quajtur Kameron Tuis (Cameron Twiss) është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë në alpet shqiptare. Kanë kaluar 39 ditë qëkur australiani është zhdukur, ndërsa në Shqipëri ka mbërritur një gazetare e cila i ka kushtuar një artikull të gjatë humbjes së mistershme të bashkëkombasit të saj.

28 vjeçari Kameron u pa për herë të fundit mëngjesin e 13 tetorit, kohë kur ai u nis në shtegun midis Valbonës e Thethit. Kur kërkimet nisën për zhdukjen turistit, autoritetet gjetën në hotelin ku qëndronte i riu pasaportën dhe rrobat e tij. Në aksionet për gjetjen e 28 vjeçarit kanë mbërritur dhe ndihmuar dhe disa anëtarë të familjes.

Arlind Shkëmbi, i cili administron një nga pikat turistike në zonë, dëgjoi për zhdukjen e 28 vjeçarit kur një grup vajzash australiane erdhën në hotelin e tij rreth, disa javë pasi i riu u pa për herë të fundit.

“Ata po pinin dhe po flisnin për malet dhe thoshin: “Hej, a keni dëgjuar për këtë rast?”, tha ai. Kur u pyet se çfarë besonte se mund t’i kishte ndodhur australianit, ai tha se nuk kishte mundësi që ai të mund ta kishte gjetur veten në telashe në Valbonë, një ecje të cilën ai e përshkroi si “aq e lehtë sa e bëjnë edhe 70-vjeçarët”.

Zona është gjithmonë e mbushur me njerëz nga vende të tjera. Ka kabina që shërbejnë kafe ose, nëse ngecni natën atje, të japin batanije ose diçka për t’u ngrohur”, tha ai.

Shkëmbi tha se kushtet e ecjes në tetor ishin “të ftohta, por të realizueshme”. Ai besonte se 28-vjeçari mund të kishte dalë nga shtegu, në një terren të vështirë dhe të rrezikshëm.

Një anëtare e stafit të një hoteli aty pranë, ra dakord me teorinë e z. Shkëmbi, shkruan në artikullin e saj gazetarja australiane.

Ajo tha se ishte “jashtëzakonisht e rrallë” që alpinistët të vriteshin ose të plagoseshin në muajt e ngrohtë.

“Nëse dilni nga rruga e caktuar, disa zona janë shumë të rrezikshme për shëtitje atje,” tha ajo. “Por në verë, nuk ka borë dhe kashumë njerëz përreth, kështu që është shumë e vështirë të humbasësh ose të mos marrësh ndihmë.”

Një zëdhënës i Shërbimit Shqiptar të Kërkimit dhe Shpëtimit Malor, i cili mori pjesë në kërkimet e shumta të pasuksesshme të organizatës vullnetare për z. Twiss, tha se është “jashtëzakonisht e pazakontë” për një turist që të lëndohet apo vritet në të tilla shtigje kaq shumë të populluara.

Organizata ka asistuar gjithashtu policinë për të folur me banorët, udhërrëfyesit vendas dhe të huaj si dhe bujtinat, por deri më tani kërkimet ka rezultuar pa dobi. Ata thanë se ishin “gati për të rifilluar misionin e kërkimit” nëse do të dilnin informacione të reja për zhdukjen e Twiss.

Në fillim të kësaj jave, një nga miqtë e Twiss hodhi dyshime për zhdukjen e tij.“-shkruan gazetarja australiane në artikullin e “The Advertiser”.

“Unë thjesht mendoj se – nëse ata kanë bërë punën e tyre – do të kishte disa shenja të tij,. Nuk mund të mos imagjinosh më të keqen dhe të kesh frikë se ai është trafikuar ose vrarë”.-tha miku i të zhdukurit.

Por z. Shkëmbi tha se ai besonte se zona ishte e sigurt, me turistët që shpesh bëhen miq me njëri-tjetrin në qytet përpara se të nisen për ecjet e tyre. Policia në Shkodër po ndihmonte në kërkimin për z. Twiss, por i tha The Advertiser se hetimi ishte tani në duart e Policisë së Shtetit Shqiptar dhe autoriteteve bashkiake Tropojë.

Policia e Shtetit Shqiptar nuk iu përgjigj kërkesave për një përditësim të rastit, shkruhet në artikull. Një zëdhënës i Departamentit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë tha se po ofronte ndihmë konsullore për familjen e z. Twiss, por nuk mund të jepte komente të mëtejshme për arsye të privatësisë.