Një 40 vjeçar shqiptar vritet në Itali, i plagoset dhe i vëllai… media vendase jep detajet

Një krim i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e të hënës në Marghera të Italisë fqinje, atje ku një 40 vjeçar shqiptar është vrarë me thikë.

Shtypi italian raporton se viktima është shtetas shqiptar. I plagosur ka mbetur dhe vëllai i të ndjerit, ndërsa policia ka arrestuar deri më tani dy persona të dyshuar për vrasjen e plagosjen.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur mjekët e urgjencës të cilët kanë konstatuar se në trupin e 40 vjeçarit kishte shenja të thella të shkaktuara nga goditjet me thikë. Pavarësisht orvatjeve të mjekëve, 40 vjeçari ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vëllai i viktimës ndërkohë është transportuar në spital.

Në lidhje me motivin, media italiane shkruan se duket si një larje hesapesh mes dy grupeve që në zonë mashtrojnë kalimtarët e në veçanti turistët, me një lojë që njihet si ‘tre kutitë’.

Shtypi italian thekson se dy të ndaluarit për krimin, janë dy shtetas me origjinë nga Maqedonia e Veriut.

Kujtojmë se një ditë më parë në itali, u vra një tjetër shqiptar 42 vjeçar, baba i dy fëmijëve.