Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje shqiptare në qytetin e Miamit në Florida të SHBA-ve. Media vendase raporton se Sabrina Krasniqi, 27 vjeçe, dyshohet se ka qëlluar për vdekje me armë të shoqin 34 vjeçar, i identifikuar si Pajtim Krasniqi.
Më pas 27 vjeçarja ka vrarë veten. Ngjarja ka ndodhur në apartamentin luksos të çiftit në zonën e njohur si Beach Club II Hallandale, në veri të qytetit të Miamit.
Kur oficerët e policisë kanë mbërritur në banesën e çiftit shqiptar, i kanë gjetur të dy të rinjtë të pajetë.
Në momentin e krimit janë dëgjuar 5 krisma arme të shtëna në mënyrë të njëpasnjëshme, ndërsa më pas një pauzë e shoqëruar me një të shtënë të gjashtë.
“Nga hetimet e deritanishme është përcaktuar se Sabrina Krasniqi ka qëlluar disa herë me armë të shoqin, përpara se t’i merrte jetën vetes. Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre të përbashkët”-tha përmes një njoftimi zyrtar policia e Miamit të premten.
“Dëgjova ulërima dhe ishte e frikshme. Kam dëgjuar disa të shtëna ndërsa pak minuta më pas disa automjete policie kanë mbërritur”-tha Max Braendlin, një prej banorëve të pallatit ku ndodhi ngjarja.
Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi në orët e mesnatës së të mërkurës, ka reaguar dhe motra e viktimës, 34 vjeçarit Pajtim Krasniqi.
“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’i merrte jetën vëllait tim kur i qëlloi 5 plumba në gjoks. Personi të cilit i besonte më shumë, personi me të cilin zgjodhi të kalonte jetën ishte ai që ia hoqi. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllezërit e mi nuk do të jemi kurrë të njëjtë. Kam frikë se nëna ime nuk do të shërohet kurrë.”-shkroi përmes një postimi në rrjetin social facebook motra e 34 vjeçarit.
Brenda banesës ishte një arush pelushi, një kuti me trëndafila me një zemër në të dhe televizori ende ndezur. Mbetet ende mister motivi apo motivet e krimit. Hetimet vijojnë ende.