Çfarë dihet për sulmin në kanalin që furnizon me ujë Kosovën, Kurti: Sulm terrorist i Serbisë, po mbledhi provat

Orët e mbrëmjes së 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, një shpërthim i fuqishëm ka dëmtuar seriozisht kanalin e ujit të Ibër- Lepencit, një infrastrukturë kritike për Kosovën.

Kanali furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, përfshi këtu edhe Korporatën Energjitike të vendit për ftohjen e termocentraleve.

Prej shpërthimit fatmirësisht nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëmtim serioz. Menjëherë autoritetet e Kosovës shkuan në vendin e ngjarjes dhe nisën punën për riparimin e kanalit, uji i të cilit solli dëme materiale në zonë.

Pas disa orësh punë, u bë e mundur që kanali të riparohet pjesërisht me vendosjen e disa tubave që bënë të mundur ridrejtimin e ujit në kanal. Zona e çarë prej shpërthimit është mbuluar me argjinaturë për të mbyllur rrjedhjet.

Këtë të shtunë më 30 nëntor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkoi në vendin e ngjarjes, nga ku deklaroi se autoritetet e vendit po mbledhin prova. Për Kurtin, i cili doli në një konferencë të jashtëzakonshme që mbrëmjen e 29 nëntorit, autorësia e kësaj ngjarje është e qartë. Kryeministri deklaroi se pas këtij sulmi terrorist fshihet prapa Serbia.

Të shtunën Kurti u shpreh se policia ka kryer bastisje, arrestime dhe është në procesin e mbledhjes së provave të nevojshme për të zbardhur plotësisht këtë sulm të paprecedentë ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.

“Kemi arritur që deri diku ta sanojmë dëmin. Jemi diku diç më shumë se çereku i prurjeve të ujit të kanalit, që e bën edhe ftohjen e elektranave dhe furnizimin me ujë. Policia po i zhvillon hetimet, ka bastisje dhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminel e terrorist do të përballen me drejtësinë dhe ligjin të Republikës demokratike të Kosovës”, ka thënë kryeministri.

Mbrëmjen e djeshme Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, duke folur për llojin e eksplozivit që është përdorur për shpërthimin e kanalit, tha se bëhet fjalë për “eksploziv që nuk është i lehtë për t’u gjetur në tregun e zi”.

Nga ana tjetër, Serbia ka shpejtuar të mohojë përfshirjen e saj në sulmin ndaj kanalit të Ibër- Lepencit. Edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e ka dënuar dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë.

Policia e Kosovës ndërkohë vijon me operacionet e saj, të shtrira në disa zona në veri të vendit.

Pas mesnatës së të premtes, u mblodh po ashtu dhe Këshilli i Sigurisë së Kosovës. Në takim u miratuan masa shtesë për forcimin e sigurisë përreth objekteve dhe shërbimeve me rëndësi kritike.

Çfarë furnizon Ibër- Lepenci

Nga sistemi i Ibër-Lepencit furnizohen më ujë të pijshëm banorë në veri të Kosovës, përfshi këtu edhe Prishtinën e rrethinat e saj. Hidrosistemit në fjalë furnizon po ashtu me ujë termocentralet në Obiliq, furnizim me ujë që përdoret për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe B.

Mbrëmjen e djeshme në konferencë të jashtëzakonshme, Kurti deklaroi se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeteshin pa energji e ujë mëngjesin e sotëm. Megjithatë qeveria të shtunën njoftoi se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit.

Shqipëria gati të ndihmojë Kosovën

Autoritetet e Kosovës kanë bashkërenduar po ashtu dhe me ato në Shqipëri, për të siguruar energji shtesë dhe për të shmangur reduktimet e mundshme me energji elektrike.

SULMI JO I VEÇUAR

Goditja e një infrastrukture kaq kritike, nuk ka qenë e veçuar. Pak orë para shpërthimit, policia e Kosovës njoftoi se kishte shtuar masat e sigurisë pasi në ditët e fundit ka patur një sërë incidentesh me mjete shpërthyese. I fundit rast pas shpërthimit të djeshëm ndodhi më 27 nëntor, ku stacioni policor në Zveçan u sulmua me dy granata dore.

REAGIMET

Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë Jeffrey Hovenier dënoi ashpër sulmin “ndaj “infrastrukturës kritike në Kosovë”.

Njëjtë dhe ambasadori i Anglisë  Jonathan Hargreaves, i cili tha se “incidenti serioz në Zubin Potok sonte mund të ketë pasoja të rënda për furnizimin me energji dhe ujë nëpër komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës”.

Ambasadori Gjermanisë Jorn Rohde dënoi sulmin që “prek komunitetet gjithandej Kosovës”.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, gjithashtu dënoi sulmin dhe deklaroi se tashmë “ka ofruar ndihmën e BE-së për autoritetet e Kosovës” dhe se “incidenti duhet të hetohet, ndërsa përgjegjësit të vihen para drejtësisë”.