Bie aksidentalisht nga 10 m lartësi, ndërron jetë Arben Tafaj

Kryetari i shoqatës ‘Tirana’ dhe ish kandidati për deputet i PD-së Arben Tafaj, ka humbur jetën këtë të martë. 63 vjeçari është rrëzuar aksidentalisht nga një lartësi prej afro 10 metrash. Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, teksa Tafaj i ishte drejtuar banesës së tij në Rrugën e Dajtit.

Policia ka përcjellë informacion zyrtar mbi rastin, nga ku thuhet se ka dyshime se 63 vjeçari ka qenë në gjendje të dehur.

“Më datë 03.12.2024, rreth orës 00:40, në Rrugën e Dajtit, dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, aksidentalisht është rrëzuar nga një lartësi rreth 10 metra, në banesën e tij, shtetasi A. T., 63 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra ky shtetas ka ndërruar jetë në spital”.

Në lidhje me vdekjen e Tafajt ka reaguar mjeku Ilir Alimehmeti.

“Me hidhërim të thellë u njoftova për ndarjen e papritur nga jeta të z. Arben Tafaj, i cili nuk ishte vetëm një mik, por edhe një qytetar elitar, një aktivist i vazhdueshëm dhe një politikan i spikatur me tone gjithnjë të moderuara qytetare.

Humbja e Benit është patjetër humbje e hidhur për familjarët dhe miqtë e tij, por është humbje e madhe edhe për qytetarët dhe qytetin e Tiranës!

Ngushëllime të ndjera familjes Tafaj për humbjen e një njeriu të dashur, të urtë e të matur.

Do të na mungosh Beni!”, shkruan Alimehmeti.

Kush ishte Arben Tafaj

I diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Arben Tafaj ka kryer edhe një master shkencor për menaxhimin e pushtetit vendor. 

Në periudhën 2003-2015 ai ka mbajtur postin e kryetarit të minibashkisë nr.8 në Tiranë, i zgjedhur nga votuesit e kryeqytetit në tre procese zgjedhore, ndërkohë që më pas ka mbajtur edhe postin e nënkryetarit të PAA-së si dhe kryetar i shoqatës “Tirana”. 

Arben Tafaj është autor i një numri të konsiderueshëm artikujsh në shtypin e shkruar si dhe bashkëautori në vëllimet e Serisë Biografike të figurave të njohura të Tiranës me titull “Tirana personalitete”