“As gjallë as vdekur s’jam… dua vetëm të më shpëtojë Alea. Me zor e kam pritur, për Zotin… (qan) është shumë rëndë, vajza është shumë keq, s’di ç’të them… edhe s’jam i zoti të bëj asgjë. Ju lutem shqiptarëve, të më ndihmojnë… të mos e humb Alean, s’dua ta humb vajzën”

Këto ishin fjalët e një babai që qante dhe endej dyerve të spitalit… vajza e tij e vogël Alea, veçse 2 muajshe, ishte në spital, e intubuar. Një sëmundje e rrallë në mushkëritë e vogëlushes po i merrte jetën dalëngadalë. Nënë e babë ishin të dëshpëruar, pa asnjë shpresë apo mundësi për t’i shpëtuar jetën vajzës.
Fatmirësisht, thirrjet e lotët e prindërve të foshnjes u dëgjuan, u panë, prekën zemra. Brenda 24 orëve, thirrjes për t’i ardhur në ndihmë Aleas iu bashkuan mijëra shqiptarë. Alea u nis drejt Italisë fqinje në gjendje të rëndë me një avion sanitar.
Veçse pak muaj kanë kaluar nga ato ditë të vështira.
Sot falë Zotit e shqiptarëve bamirës, ato ditë duken të largëta.
Alea vogël është rikthyer në atdhe. Është shëndoshë e mirë. Është rritur. Alea vogël mbush shtëpinë me gëzim… kjo është mrekullia e bamirësisë.
