I mori jetën të shoqes dhe e mbajti në papafingo për 7 ditë, detajet e krimit të rëndë në Greqi

Një ngjarje makabre ka ndodhur në zonën e Ampelokipi të Athinës, atje ku një 39 vjeçar shqiptar i ka marrë jetën të shoqes dhe më pas trupin e saj të pajetë e ka mbajtur të fshehtë në papafingo për 7 ditë.

Autori i dyshuar, i identifikuar tashmë si Kastriot Cenko, ka vendosur të vetëdorëzohet në polici, fill pasi dy fëmijët e tij të mitur kanë ardhur në shtëpi dhe kanë pyetur se ku është mamaja.

Media vendase shkruan se motiv i krimit mendohet të jetë xhelozia. Sipas asaj që është mësuar deri më tani, 39 vjeçari dyshonte se e shoqja 32 vjeçare e tradhëtonte me shokun e tij. Të enjten e kaluar (28 nëntor) 32 vjeçarja ka marrë një telefonatë dhe ka hyrë në tualet. Në këtë moment Cenko është xhindosur dhe ka vrarë të shoqen

Si ndodhi krimi

39 vjeçari ka marrë një çekiç dhe me të ka hyrë në tualet, aty ku e shoqja po fliste në telefon. Cenko e ka goditur në kokë të shoqen, e cila menjëherë ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në tokë.

Më tutje 39 vjeçari i ka marrë jetën bashkëshortes me duart e tij, duke e mbytur. Dy fëmijët e vegjël të çiftit, përkatësisht 12 e 9 vjeç, po flinin gjumë. 39 vjeçari e ka dërguar fillimisht trupin e pajetë të të shoqes në dhomën e tyre.

Me të zbardhur dita,  39 vjeçari i ka dërguar fëmijët në shkollë. Kur ata kanë pyetur se ku është nëna, ai u ka thënë se ka ikur në punë. Pas shkollës, ai i ka dërguar fëmijët tek i vëllai.

39 vjeçari mandej ka ardhur në banesë, ku dhe ka mbuluar trupin e të shoqes me një copë dhe qese plastike, për ta vendosur më pas trupin e saj në papafingon e banesës.

Familjarët e fqinjët janë shokuar nga krimi

Një ditë pasi 39 vjeçari rrëfeu krimin, media vendas ka marrë prononcime të disa familjarëve dhe fqinjëve.

Një prej të afërmve të çiftit, tregoi për Protothemën se ishte i shokuar kur mësoi se çfarë kishte ndodhur.

“Ata ishin njerëz që nuk dilnin shumë. Gruaja ishte njeri i rregullt, punonte shumë dhe kujdesej për fëmijët. Kur e kam takuar, nuk më ka thënë ndonjëherë se ka patur probleme me të shoqin. Ata mund të kenë patur përplasje, si të gjitha çiftet, por në dijeninë time ata nuk ishin në asnjë proces divorci apo diçka të ngjashme. Kastrioti ishte njeri i mirë por se çfarë ka ndodhur në atë shtëpi unë nuk di ta them”-tha një prej familjarëve të çiftit.

Një tjetër qytetar, fqinj me çiftin e shqiptarëve dhe pronar i një biznesi të vogël, tregoi se kurrë nuk kishte parë ndodnjë shenjë konflikti apo diçka që nuk shkonte me burrë e grua.

“Ata ishin një familje normale. Fëmijët jetonin e luanin këtu në lagje dhe kurrë nuk kanë dhënë shenja se diçka nuk shkonte. Babai ishte një njeri që nuk e shihje të bënte sjellje jo të mira. Në të gjitha vitet që unë kam patur dyqanin tim këtu, nuk e kam parë asnjëherë të sillet keq. Gruaja gjithashtu nuk jepte asnjë shenjë se diçka nuk shkonte. Ata dukeshin një çift i lumtur”-tha fqinji.