Nëna e kërkonte, babai denoncoi zhdukjen… 33 vjeçari gjendet i pajetë në një kanal uji në Durrës

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Durrës, ku një 33 vjeçar është gjetur i pajetë në një kanal uji në afërsi të lagjes nr.15 të qytetit.

I riu ishte shpallur në kërkim nga policia, ndërsa denoncimin e kishte kryer babai i të ndjerit. 33 vjeçari kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më, duke alarmuar prindërit. Me të nisur kërkimi, i riu me inicialet H.Sh u gjend i pajetë në një kanal uji jo shumë larg banesës së tij.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se i riu është rrëzuar aksidentalisht nga ura dhe ka rënë në kanal, atje dhe ku është mbytur. Hetimet vijojnë ende për të zbardhur të plotë ngjarjen.

“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për kallëzimin e bërë nga shtetasi H. Sh, për largimin nga banesa të djalit të tij, informojmë se shtetasi B. Sh., 33 vjeç, është gjetur i pajetë në një kanal uji, në afërsi të banesës së tij, në lagjen nr.15, Durrës. Nga veprimet e para dhe kqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, dyshohet se aksidentalisht është rrëzuar nga ura, ka rënë në kanal dhe për pasojë është mbytur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”-njoftojnë autoritetet.