Lajm i mirë: Vogëlushi që ndodhej në inkubator mes jetës e vdekjes, rikthehet në atdhe shëndoshë e mirë

Fotoja e mësipërme është një dëshmi e mrekullisë që mund të bëjë mirësia e njerëzve.

Ky vogëlush në foto quhet Amari. Amari është djali i Altinit e Eklevës, dy prindër që jeta i ka përballur me shumë sfida. Altini së bashku me të shoqen janë të dy me kemp.

Por këto sprova nuk ishin hiçgjë përpara sprovës më të madhe me të cilën u përballën këta dy prindër të varfër. Djali i tyre i vogël, Amari, u sëmur rëndë qëkur erdhi në jetë. Që foshnje 2 muajshe ai kreu dy ndërhyrje në stomak e zorrë. Vogëlushi qëndroi në incubator në gjendje të rëndë, ndërsa shpresat për të në atdhe veçse zvogëloheshin.

Me lot e ngashërima pranë inkubatorit ku qëndronte i biri i pashpresë, Altini e Ekleva iu lutën shqiptarëve për shpëtim, për t’i mundësuar Amarit kurimin jashtë shtetit.

Dhe fatmirësisht, mijëra shqiptarë iu përgjigjën thirrjeve të këtyre dy prindërve të vuajtur.

Amari u nis për kurim në Italinë fqinje, në spitalin ‘Bambino Gesu’.

Kanë kaluar disa muaj nga ajo ditë dhe tanimë kemi lajme të mira. Amari është kuruar dhe është falë Zotit shëndoshë e mirë. Vogëlushi është rikthyer në atdhe, së bashku me të ëmën. Amari sot është mes nënës e babait, i shpëtoi vdekjes. Një mrekulli e vërtetë që u bë realitet veçse falë mirësisë dhe bashkimit të shqiptarëve.