I dyshuari kryesor për vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani e plagosjen e shokut të tij Luis Meçja, pak metra larg shkollës 9 vjeçare ‘Fan Noli’ në kryeqytet, ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë ‘arrest me burg’.
Përmes avokatit, pala mbrojtëse ka depozituar një ankimim në gjykatën e Apelit të Tiranës, mbi kundërshtimin e vendimit të shkallës së parë për ta lënë në burg 14 vjeçarin. Deri më tani argumentet e avokatit mbrojtës ende nuk janë bërë të njohura.
Nga ana tjetër, hetimi mbi vrasjen e rëndë vijon ende. Prokuroria e ka marrë në pyetje në një seancë maratonë prej afro 8 orësh të dyshuarin kryesor. Gjatë seancës së gjatë, 14 vjeçari është ballafaquar po ashtu edhe me disa nga të miturit që kanë qenë të pranishëm në ngjarje.
Kujtojmë se Martin Cani u godit me thikë më 18 nëntor, fill pasi kishte mbaruar orari i mësimit. Viktima me autorin kishin patur përplasje më herët dhe u mblodhën pak metra larg shkollës 9 vjeçare për t’u ballafaquar. Situata ka përshkallëzuar në konflikt fizik, ndërsa autori Mario Perlleshaj ka goditur me thikë 14 vjeçarin dhe mikun e tij, Luisin. Autori 14 vjeçar po ashtu mbeti i plagosur dhe pas disa ditësh u dërgua në institucionin e sigurisë për të miturit në Kavajë.