Vdekja aksidentale e një 33 vjeçari në Spitallë të Durrësit, zbuluar pak ditë më parë, rezulton të jetë një vrasje e kryer nga duart e shokut të viktimës.
Kështu kanë zbuluar autoritetet në Durrës, të cilët kanë arrestuar autorin e dyshuar të krimit, një 35 vjeçar i identifikuar si Majlind Habibi.
Habibi akuzohet se më datë 2 dhjetor ka hedhur në kanalin e ujërave të zeza shokun e tij Branko Shkoza, trupi i të cilit u gjet i pajetë në kanal tre ditë më vonë, më 5 dhjetor.

I prangosur tashmë, autori i dyshuar i krimit ka thënë para hetuesve se e hodhi shokun e tij në kanal pasi ai i ngacmonte bashkëshorten. Autori ka shtuar se ka patur një konflikt verbal me të për këtë çështje dhe në momente gjaknxehtësie e ka shtyrë në kanal. Ai më pas thotë se është larguar, duke menduar se kanali është i cekët.
Kur 35 vjeçari ka mësuar se shoku nuk ka shkuar në banesë, ka shkuar të nesërmen në kanalin ku ka shtyrë viktimën, atje dhe ku ka parë trupin e tij të pajetë, të mbytur. 35 vjeçari nuk ka treguar asgjë ndërsa familjarët e Branko Shkozës kanë nisur kërkimet e bërë denoncim për zhdukjen e tij.
Babai i viktimës, ka treguar se ka folur me Majlindin, duke i thënë se i biri ka humbur, por sipas tij 35 vjeçari e ka parë “shtrembër” dhe ka bërë sjellje të dyshimta. Trupi i Majlindit u gjend fare pak metra larg shtëpisë, ndërsa fillimisht rasti u raportua si aksidental nga ana e autoriteteve policore.
“E pyeta autorin, ‘ka humbur djali’, më pa shtrembër dhe iku, kisha katër ditë që kërkoja çunin, i kam rënë telefonit disa herë ndërkohë që zija i binte po nuk e hapte. Kemi kërkuar me efektivët ditë e natë ndërkohë që e kemi gjetur 11 metra larg shtëpisë. Ai deklaroi se e ka hedhur nga ura, po aty nuk ka më shumë se një metër ujë dhe nuk mund të mbytet. Pinte pak çuni, por nuk ka mundësi t’i jepte fund jetës, sepse distanca nga ura dhe vendi ku u gjet është shumë larg. Ai ka qenë duke pirë me disa persona para ngjarjes, por ata kanë deklaruar se nuk dinë gjë.”-tha babai i viktimës.

Më tutje babai i të ndjerit shtoi se me zbulimin e të vërtetës, gjakrat janë nxehur mes dy familjeve. Ai ka kërkuar që policia të ndërhyjë.
“Kam frikë se çunat janë të nervozuar nga situata, kërkoj që policia të na qëndrojë afër sepse familjarët e autorit kalojnë para banesës sonë. E kam takuar autorin dhe e kam pyetur, se ata rrinin bashkë prej katër vitesh dhe më ka thënë është trembur, është larguar. Ndërkohë që kërkoja djalin ata bënin sikur nuk dinin asgjë, ndërkohë që ata e dinin. Një nga çunat e lagjes i kishte thënë shokut të babait të viktimës ‘kam katër ditë që nuk ha bukë dhe dua të tregoj të vërtetën se kush e vrau”, – ka deklaruar babai i viktimës.
Së fundmi babai i viktimës ka thënë se autori i dyshuar i krimit, ka ardhur dhe në varrimin e 33 vjeçarit, duke u sjellë sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Ndërkohë fotoja e mëposhtme, është dhe ‘ura’ nga ku është shtyrë drejt kanalit të ujërave të zeza viktima, trupi i të cilit u gjend disa metra më tutje.
