Të gjitha platformat e Meta-s, Facebook, Instagram, Whats’App, Mesenger dhe Thread duket se janë përfshirë nga një ndërprerje masive mbrëmjen e të mërkurës.
Aplikacionet kanë rënë për qindra mijëra qytetarë, ndërsa për të tjerë është bërë i vështirë aksesi i tyre.
Lajmin e ka konfirmuar vetë kompania Meta, e cila përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, shkroi:
“Përshëndetje, jemi në dijeni të një problemi teknik që ka prekur aftësinë e qytetarëve për të aksesuar instagramin. Po punojmë që të risjellim gjërat drejt normalitetit sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim”
Sipas uebsajtit “Down Detector” që ndjek ndërprerjet e aplikacioneve përmes raportimeve dhe mjeteve të tjera, rreth orë 20 të mbrëmjen janë sinjalizuar qindramijëra raportime për mosfunksionimin e aplikacioneve të Meta-s.
Duket se fenomeni është i shpërndarë në thuajse të gjithë globin.
Meta i drejton aplikacionet e saj të ndryshme si sisteme kryesisht të ndara. Gjithsesi ato ndajnë baza teknike të caktuara. Me fjalë të tjera një problem i madh teknik mundet që të rrëzojë aplikacionet njëkohësisht.