Sherr mes gjimnazistëve në Fier, 17 vjeçari godet me thikë moshatarin pas sherrit në ‘snapchat’

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet e shkollës së mesme në Cakran të Fierit, atje ku një 17 vjeçar ka mbetur i plagosur pas një sherri me një bashkëmoshatar.

Ky i fundit e ka goditur me thikë në krah 17 vjeçarin sapo të dy janë parë me njëri- tjetrin, rreth orës 08:30 të mëngjesit. I plagosuri është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar e ka goditur 4 herë me thikë bashkëmoshatarin, por duket se xhupi i trashë e ka shpëtuar të riun nga marrja e plagëve të rënda.

Autoritetet kanë arrestuar dhe shoqëruar autorin. Mjeti prerës që ai ka përdorur (thikë, biçak) është sekuestruar.

Në lidhje me motivin e ngjarjes, raportohet paraprakisht se autori me të plagosurin kanë patur një sherr në rrjetin social ‘Snapchat’ në mbrëmje, disa orë para se të ndodhte sherri në shkollë.

Mjeku: I riu kishte marrë 4 goditje me mjet prerës

Drejtuesi i qendrës shëndetësore në Cakran, tha se i mituri është jashtë rrezikut dhe se është dërguar në spitalin rajonal të qytetit për mjekim më të specializuar. Ai shtoi se kur 17 vjeçari ka ardhur në qendër, kishte hemorragji në njërin krah.

“Personin e sollën këtu mësuesit dhe shokët e vet. Kishte pak hemorragji në krahun e majtë, dukej plagë me mjete prerëse. Kishte marrë katër goditje të vogla. Gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë, e qëndrueshme, jashtë rrezikut për jetën. Këtu iu dha ndihma, pastaj u nis për menjëherë për trajtim për specializuar në Spitalin Rajonal të Fierit”, tha mjeku.

Prokurorja e çështjes: Dy mësuese kanë qenë dëshmitare të ngjarjes

Në vendin e ngjarjes ka qenë dhe prokurorja e çështjes, Oliana Gjergjefi. Ajo ka thënë për median se të pranishme gjatë konfliktit kanë qenë dhe dy mësuese, të cilat kanë dhënë dëshminë e tyre.

“Kam pyetur dëshmitarët okularë, dy mësuese të cilat kanë qenë të pranishme gjatë konfliktit. Ngjarja është e rëndë dhe garantojmë një hetim të plotë e të gjithanshëm,” theksoi prokurorja.

Banorët: S’është hera e parë, këtu nxënësit kanë rrahur dhe mësuesit

Disa nga banorët e zonës treguan se të tilla raste janë tepër shqetësuese.

“Kjo na shqetëson shumë. Unë dëgjova sikur kishte ardhur policia dhe kishte thirrur prindërit dhe ata s’kanë patur asnjë reagim. Kjo e vë situatën shumë në rrezik. Këtu nuk ka pasur raste të tilla më parë”, tha ai.

 “Nuk është hera e parë që ndodhin të tilla raste, por nuk janë bërë publike. Kanë rrahur edhe mësuesit, janë bërë bashkë 3 ose 4 çuna dhe kanë rrahur mësuesin. Unë e kam shtëpinë këtu afër shkollës dhe informohem për ato që ndodhin”, tha një banor i zonës.