Një burrë në moshën 65 vjeçare është ndaluar nga policët kroatë, në kufirin mes Kroacisë e Bosnje Hercegovinës, në një prej rasteve më të pazakontë ndër vite, raportojnë mediat kroate.
65 vjeçari ka ndaluar në kufi dhe teksa jepte dokumentetet nga makina e tij, oficerët kanë pikasur një grua në sediljen e pasagjerit. Kjo e fundit, në moshën 83 vjeçare, qëndronte e palëvizur dhe me sytë mbyllur. Burri i ka thënë oficerit të kufirit se e ‘shoqja po flinte gjumë’, por oficeri nuk e ka besuar 65 vjeçarin, pasi gruaja dukej e vdekur.
Në kufi është thirrur një mjek, i cili ka konfirmuar menjëherë se e moshuara kishte kohë që kishte vdekur.
Media kroate shkruan se nga hetimi i kryer, rezultoi se gruaja kishte humbur jetën në Bosnje e Hercegovinë për shkaqe natyrale. 65 vjeçari, shtetas austriak, kishte vendosur që ta transportonte vetë të moshuarën, në mënyrë që të evitonte kostot e transportit e dokumentet e nevojshme.
“Pas vazhdimit të hetimeve, u zbulua se gruaja kishte vdekur në Bosnje Hercegovinë, por 65 vjeçari vendosi ta transportojë atë në Austri në të tilla kushte, për të shmangur formalitetet. Trupi i të ndjerës u transportua nga një agjensi funerale e autorizuar në Kroaci”-njoftoi mbi rastin policia e Kroacisë.
Media vendase ka raportuar më tutje se 65 vjeçari dhe e moshuara 83 vjeçe, nuk kishin asnjë lidhje mes tyre. 65 vjeçari ishte kujdestari i të moshuarës, e cila humbi jetën për shkaqe natyrale gjatë udhëtimit në Bosnje, në vendlindjen e kujdestarit 65 vjeçar.