Diseksioni i parë i balenës më të rrallë në botë, gjitari rezulton të ketë 9 stomakë

Shkencëtarët në Zelandën e Re kanë kryer për herë të parë në histori, autopsinë e balenës më të rrallë në botë.

Balena “dhëmbë lopatë”, me vetëm 6 specimenë të njohur, u gjend e pajetë në brigjet e një plazhi në Zelandën e Re.  

Me kryerjen e diseksionit mbi trupin e gjitarit të rrallë, shkencëtarët u habitën kur panë se balena kishte 9 stomakë në total. Gjatë autopsisë, studiuesit mundën të kuptojnë dhe mbi mënyrën sesi funksionon sistemi tretës me 9 dhomat, pasi në to është gjetur ushqim.

“Në disa prej dhomave (stomakëve)  gjetëm sqepa e lente sysh të kallamarëve, disa krimba parazitarë dhe ndoshta disa pjesë të tjera të organizmave për të cilat nuk jemi plotësisht të sigurt”, tha Këshilltari i Shkencave Detare dhe eksperti i balenave me sqep Anton. van Helden. “Ne kemi një parazitolog që do t’i studiojë mbetjet për të gjetur se çfarë janë.

“Ne gjetëm gjithashtu struktura interesante të lidhura me ushqimin dhe prodhimin e zërit. Peshat, matjet dhe përshkrimet janë bërë për muskuj dhe organe të ndryshme, për të na ndihmuar të përshkruajmë këtë specie dhe të bëjmë krahasime me speciet e afërta. Të gjitha këto i shtohen trupit të njohurive që po ndërtojmë.”-tha më tutje eksperti.