2 të rinj humbën jetën sot në Shqipëri: 22 vjeçari përplaset me trajlerin në Durrës, në Prrenjas humb jetën 31 vjeçari

Dy aksidente të rënda rrugore kanë ndodhur këtë të shtunë, duke i marrë jetën dy të rinjve në moshat 31 e 22 vjeç.

I pari aksident ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën ‘Vllazërimi” në Durrës. Shoferi 22 vjeçar me inicialet D.H, ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me një trajler të parkuar në rrugë. Për pasojë 22 vjeçari ka gjetur vdekjen në vendin e ngjarjes.

Aksidenti i dytë ka ndodhur në rrugën Librazhd-Prrenjas. Ngjarja ndodhi në orët e paradites dhe përfshiu dy automjete, një kamion dhe një furgon. Drejtuesi i furgonit, një djalë në moshën 31 vjeçare me inicialet E.M, ka humbur jetën si pasojë e plagëve që ka marrë.

Autoritetet shoqëruan në polici shoferin e kamionit, një 30 vjeçar me inicialet Y.Z.

Në aksin rrugor “Librazhd-Prrenjas”, automjeti me drejtues shtetasin E. M., 31 vjeç, banues në Korcë, është përplasur me kamionin me drejtues shtetasin Y. Z., 30 vjeç. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi E. M., dhe është dëmtuar pasagjeri që udhëtonte me të, i cili është në kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i kamionit, shtetasi Y. Z., është shoqëruar në polici, për kryerjen e veprimeve procedurale.“-njoftoi policia.