Rrjeti social Tik Tok do të mbyllet në Shqipëri dhe askush nuk do të mund ta aksesojë atë për një afat kohor prej një viti.
Vendimin e ka bërë me dije kreu i qeverisë Edi Rama. Kryeministri deklaroi se rrjeti social promovon rrugaçërinë dhe modele negative për shoqërinë, veçnërisht për fëmijët dhe rininë shqiptare. Ai shtoi se duke filluar nga viti ardhshëm, do të duhen afro 8 javë që të bëhet gati plani e legjislatura për ndalimin e rrjetit social për një afat kohor 1 vjeçar.
“TikTok-u është rrugaçi i lagjes që kemi frikë, ne TikTok-un do ta mbyllim për 1 vit. Do të na duhen 6 deri në 8 javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për 1 vit do ta mbyllim për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Rrugaçëria, thika, presa, shpata, euro, dollarë, nuk sheh në TikTok-un e Kinës. Ndërsa në TikTok-un jashtë Kinës vetëm llum dhe qenëri. Është algoritmi. Problem sot nuk janë fëmijët, jemi ne, problem sot janë TikTok dhe të gjithë Tok-Tokët që na i marrin peng fëmijët, njësoj si rrugaçi më i madh i lagjes. Këtë rrugaç ne do e përzëmë nga lagjia jonë për 1 vit”.-tha kryeministri.
Vendimi vjen fill pasi qeveria tha se ka përfunduar një tur kombëtar me konsultime me afro 65 mijë prindër në të gjitha shkollat e vendit. Ministrja e Arsimit deklaroi se afro 90% e prindërve, kanë qenë pro mbylljes së rrjetit social Tik Tok.
Kryeministri Rama shtoi se gjatë javëve të ardhshme, të gjitha shkollat do të hyjnë në programin e monitorimit dixhital.
“Të gjitha shkollat do të hyjnë në programin e monitorimit dixhital. Kemi një vit që punojmë në javët e ardhshme do të firmosim marrëveshjen, të gjithë prindërit do të knë mundësi të shkojnë tek shkolla dhe të shohin në video fëmijën e vet dhe për çdo problematikë që krijohet, drejtoria e shkollës do të ketë mundësi të ballafaqojë prindër, mësues. Edhe sistemi i fletores dixhitale, ku prindi do të marrë edhe përshkrimin e sjelljes lidhur me fëmijën e vet, do të forcojë këtë ndërveprim. Nuk ka ministria që zëvendëson familjen dhe që zëvendëson prindërit”.-tha kreu i qeverisë.
Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu shpjegoi më herët se qeveria ka nisur bashkërendimin me institucionet vendase dhe ato të huaja, për të krijuar kushtet e nevojshme për mbylljen e rrjetit social Tik Tok në Shqipëri.
“Në një kohë kur sfidat teknologjike janë të pashmangshme, siguria fizike dhe digjitale është prioritet. Për rritjen e kësaj sigurie kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentesh që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI. Po ashtu, do të vendosim kamera inteligjente përmes projektit ‘Smart City’, duke siguruar një monitorim më efektiv brenda shkollave dhe perimetrit të tyre. Në dy vitet e ardhshme do të dyfishojmë numrin e oficerëve të sigurisë, duke arritur në 500, dhe do të ngremë një strukturë të dedikuar brenda drejtorive arsimore për të koordinuar detyrat e oficerëve të sigurisë dhe bashkëpunimin me njësitë lokale të mbrojtjes së fëmijëve.”-tha Ministrja.
Kujtojmë se muajin e kaluar në shkollën 9 vjeçare Fan Noli, humbi jetën një 14 vjeçar i cili u vra me thikë nga një moshatar. Dy të rinjtë ishin konfliktuar disa ditë më parë mes tyre, ndërsa sherri përfundoi në vdekjen tragjike të njërit prej tyre e plagojen e një tjetër 14 vjeçari.
Ngjarja e rëndë solli reagime të shumta në opinionin publik, përfshi këtu dhe reagime të forta për rolin që kanë rrjetet sociale në jetët e fëmijëve të mitur, adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri.