Një krim i rëndë ka ndodhur mëngjesin e të martës në Metoq të Sarandës, atje ku një 49 vjeçare ka goditur për vdekje të shoqin me një sopatë.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes Tahiraj, ndërsa familjarët kanë qenë ata që kanë gjetur të pajetë trupin e 53 vjeçarit, Llazar Tahiraj.
Sipas informacioneve paraprake të dhëna nga autoritetet, 49 vjeçarja dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Një fakt të tillë duket se e pohojnë dhe fqinjët. Një prej tyre ka treguar se autorja e krimit vuante nga probleme të shëndetit mendor.
“Gruaja ishte në shtëpi… bo bo bo. Punonte vetëm ai. Ka 4 vajza. Tri i ka të martuara, njërën më duket e ka në shtëpi. Ai punonte i shkreti, ditë për ditë. Gruaja ka qenë një çikë e ikur. Jo jo, ai nuk pinte alkool, fare. Ai jetonte me qira këtu. Ai ishte punëtor shumë. As alkool asgjë. Dje e takova, kishte marrë ca ushqime. Gjynah për mavrinë, se ajo e shkreta është me të meta. Ata kishin ardhur nga Korça, nga Kolonja. Ai i shkreti e dinte që e kishte të shoqen të sëmurë, gjynah shumë.”-tregoi një fqinj i të ndjerit.
“Pashë policët këtu dhe u thashë çfarë ka ndodhur… po dridhem e tëra”-tha një tjetër fqinje, një grua e moshuar.