Policia e Durrësit ka njoftuar arrestimin e një 64 vjeçari, i cili një ditë më parë (24 dhjetor) përplasi për vdekje me kamion një 39 vjeçar.
Pas aksidentit, burri në moshë është larguar nga vendi i ngjarjes me makinën e tij, duke lënë në rrugë 39 vjeçarin e ndjerë.
Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në vendin e ngjarjes, policia ka mundur ta identifikojë dhe arrestojë këtë të mërkurë 64 vjeçarin me inicialet M.Ç.
“Aksidentoi me pasojë vdekjen një 39-vjeçar dhe u largua nga vendi i ngjarjes bashkë me automjetin, pas disa orësh kërkimesh dhe këqyrje të kamerave, Policia bëri të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit ” shtetasin M. Ç., 64 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas rreth orës 17:30, të datës 24.12.2024, në lagjen nr 15 Durrës, duke drejtuar automjetin kamion ka përplasur me pasojë vdekjen, shtetasin P. P, 39 vjeç, banues në lagjen nr 15 Durrës, dhe është larguar menjëherë nga vendi i aksidentit bashkë me kamionin që drejtonte.
Pas disa orë kërkimesh dhe këqyrje të kamerave, Policia identifikoi, kapi dhe arrestoi autorin e dyshuar. Si dhe bëri bllokimin e kamionit në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policinë