Gjykata e Durrësit ka lënë nën masën e ‘arrestit me burg’ 39 vjeçarin Fatjon Janina, të riun që akuzohet për vrasjen e fqinjit të tij të moshuar më datë 30 dhjetor të vitit të kaluar.
I pyetur nga gjyqtari rreth motivit, i akuzuari ka mbajtur të njëjtin version të ngjarjeve, duke thënë se 82 vjeçari Paulin Gila i kishte borxh afro 200 mijë lekë të vjetra.

I moshuari u gjend i pajetë në banesën e tij, e kyçuar me çelës nga autori dyshuar fill pas vrasjes. Viktima ishte masakruar me goditje thike e çekiçi, armë të ftohta të cilat u gjetën në vendin e ngjarjes. I moshuari jetonte i vetëm në pallatin në lagjen nr.16 dhe ishte fqinj me autorin e dyshuar. Kanë qenë familjarët e të moshuarit ata që kanë ngritur alarmin pasi 82 vjeçari nuk përgjigjej më në telefonin e tij.
Autori u largua pas krimit, por arratia e tij zgjati veçse disa orë. Pas arrestimit, autori dyshuar tha para hetuesve se ishte ai që e kishte vrarë Paulinin, sepse 82 vjeçari nuk i jepte paratë borxh. Autori dyshuar njihet si person i alkoolizuar.
“Po unë e vrava Paulinin. Me kishte 200 mije lekë borxh, e pashë dje qe po dilte nga shtëpia nga kati i pestë ku unë banoj te sheshpushimi i shkollave. I thashë hajde flasim për atë borxhin që me ke se me duhen lekët për viti e ri. U futëm të shtëpia e tij. Debatuam aty dhe me tha nuk kam lekë. Me ofendoi, me tha drogaxhi. Aty e humba qetësinë, u përleshem afro 1 orë. Ai donte të me godiste me çekiç, unë gjeta një thikë e qëllova disa here, e lashë të shtrire ne tokë”, tha autori.
