Pamje “apokaliptike” në Kaliforni: Zjarret djegin mijëra hektarë e banesa, të paktën 5 të vdekur në Los Angeles

Në disa zona të Los Angeles-it, atje ku deri tre ditë më parë jetonin dhjetëra mijëra njerëz, sot gjen veç nxehtësinë e zjarrit, godina të rrënuara në shkrumb e hi dhe qetësinë e frikshme që ka lënë pas një “apokalips” i vërtetë.

Prej mëse dy ditësh tashmë, zjarre të furishme që nisën në një lagje në Palisades të Los Angeles, kanë përparuar pa u ndalur dot në afro 12 mijë hektarë tokë. Gjithçka është bërë shkrumb e hi, ndërsa dhjetëra mijëra banorë të qytetit janë detyruar të lënë gjithçka pas e të ikin na shtëpitë për të shpëtuar jetën. Sipas të dhënave të deritanishme, janë evakuar afro 137 mijë persona.

Deri më tani, autoritetet kanë gjetur 5 persona të pajetë, të cilët nuk kanë mundur dot t’i shpëtojnë furisë së zjarrit e tymit.

Aktualisht janë 5 vatrat, të cilat vijojnë ende të shkrumbojnë hapësira të pamata toke e çfarë gjejnë para ‘rrugës’ së tyre.

Disa nga banorët që kanë mundur të shpëtojnë prej rrezikut, kanë rrëfyer për median e huaj se situata u kthye shumë shpejt në një katastrofë apokaliptike.

“Filloi një erë shumë shumë e fortë. Degët e pëmëve nisën të bien tek makinat. E pastaj nisi zjarri. Nuk ka asnjë shans të ndalosh dot një zjarr me atë erë aq të fortë”-tha një banor i Los Angeles për BBC-në.

“Prej zjarreve nisi të bjerë nga qielli hi. Kur dola jashtë mu mbulua fytyra prej hirit, ishte e vështirë të merrja frymë e po kollitesha. Kur zjarri u afrua, u bë edhe më shumë errësirë. Mbrëmjen e djeshme u bë aq keq saqë ishte e frikshme të rrije më.”-tha më tutje qytetari, banues në një prej zonave më të goditura nga zjarret.

Në mesin e shkatërrimit, janë shkrumbuar dhe banesa e vila luksoze. Media e huaj shkruan se edhe vilat e personaliteteve të njohura si Billy Crystal, Paris Hilton and Eugene Levy janë shkatërruar plotësisht prej zjarreve.

Nga ana tjetër, autoritetet raportuan se veç problemeve me energjinë elektrike e furnizimin me ujë të pijshëm, në zonat e prekura kanë nisur dhe vjedhjet e grabitjet. Deri më tani të paktën 3 persona janë arrestuar në flagrancë, duke vjedhur e grabitur objektet e prekura apo në rrezik nga zjarret.

Së fundmi një vatër zjarri ka shpërthyer në kodrat e Hollivudit, duke detyruar auroritetet të japin alarmin e evakuimit për banorët në Santa Monica.