Misteri i vrasjes së 81 vjeçarit në Zall Bastar, i moshuari po shkonte në kafene kur u godit pas kokës me sende të forta

Mëngjesin e 13 janarit familjarët e Xhemal Metës e gjetën këtë të fundit të pajetë në oborrin e banesës së tij në fshatin Zall Bastar.

I moshuari kishte  plagë në trup, çka ngriti menjëherë dyshime tek autoritetet se 81 vjeçari mund të ishte vrarë.

Së fundmi, të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me këtë ngjarje. Ekspertiza mjeko-ligjore ka nxjerrë në pah se i moshuari është goditur me mjete të forta në pjesën e pasme të kokës, çka mendohet se i ka sjellë vdekjen.

Në prokurori materialet janë referuar për veprën penale “Vrasje me dashje”. Deri më tani policia nuk ka asnjë të dyshuar për këtë ngjarje, por edhe motivet e saj mbeten të paqarta.

Në vijim të informacionit të dhënë me datë 13.01.2025, i cili bën fjalën për gjetjen pa shenja jete të shtetasit Xh.M, në oborrin e banesës së tij, në Zall-Bastar, ju bëjmë me dije se: Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake si dhe ekzaminimit mjeko-ligjor ka rezultuar se shtetasi Xh.M, ka dëmtime në pjesën e pasme të kokës, të dyshuara të shkaktuara nga goditje me sende të forta. Paraprakisht, në lidhje me këtë ngjarje nga ana e DVP Tiranë, janë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i kodit penal. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor dhe për përcaktimin rrethanave konkrete të ngjarjes dhe shkaqeve të humbjes se jetës së shtetasit Xh.M.“-njofton policia.