“S’na dhe nga rakia gruas” Dëshmia e burrit që vrau 81 vjeçarin: Më ofendonte e ngacmonte gruan, s’durova dot

Më ngacmonte gruan dhe më ofendonte, nuk durova dot dhe e vrava me një çekiç.

Kështu është shprehur para hetuesve Isuf Hasa, personi i cili është arrestuar si autor i dyshuar i vrasjes së një të moshuari, i cili u gjet i pajetë në oborrin e shtëpisë së tij në Zall Bastar, më 13 janar të këtij viti.

Hasa, komshi me të moshuarin Xhemal Meta, tregoi se shkoi për të pirë një kafe në banesën e të moshuarit, atje ku e ka goditur pas kokës me një çekiç. Hasa ka pretenduar se disa herë i ndjeri i ka ngacmuar bashkëshorten.

“Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre netë në shtëpi. Xhemali më merte në telefon dhe më thoshte: Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas. Kisha kohë që nuk po e duroja dot”, ka thënë Isuf Hasa.

Autori ka thënë para hetuesve se pasi e ka vrarë 81 vjeçarin, i ka marrë paratë dhe më tutje është nisur drejt shtëpisë së vajzës së tij, në Vorë.

“Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte sepse mi kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar te stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë”, shtoi Hasa.

Kujtojmë se Xhemal Meta u gjet i pajetë në oborrin e shtëpisë, teksa i ishte drejtuar kafenesë së fshatit. Ai jetonte prej vitesh i vetëm në fshatin Shëngjin i Vogël, ndërsa familjarët jetonin në Tiranë, përfshi dhe bashkëshortja e tij.