Po ndërronte gomën e trajlerit kur i plasi, dëmtohet rëndë shoferi në Fier

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në rrugën Fier- Patos, atje ku një shofer ka marrë lëndime serioze gjatë orvatjes për të ndërruar një nga gomat e trajlerit që po drejtonte.

Ngjarja ka ndodhur pranë drejtorisë së policisë së qytetit. Shoferi i mjetit të tonazhit të rëndë, punonjës i ndërmarrjes së ujitjes e kullimit në Fier, ka mbetur i plagosur në momentin kur po ndërronte gomën. Për shkak të presionit të lartë, goma ka plasur dhe lënë të plagosur shoferin.

Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Sipas informacioneve paraprake, i dëmtuari altualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e tij po monitorohet me kujdes.