Policia e Lezhës ka arrestuar dy djem të mitur, të cilët sapo kishin vjedhur një berberhane duke i thyer xhamat biznesit. Djemtë në moshat 17 e 15 vjeç u kapën fill pas grabitjes, ndërsa në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan një shumë parash, 2 celularë, një dorezë hekuri e mjete të ndryshme pune.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 të mitur, 17 vjeç dhe 15 vjeç. Dy të miturit u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, afër një berberhaneje, në të cilën dyshohet se pasi kanë thyer xhamat, kanë vjedhur një shumë parash, mjete të ndryshme pune, 2 celularë, 1 biçikletë dhe sende të tjera, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjatë kontrollit fizik, 17-vjeçarit iu gjet një dorezë metalike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë, për veprime të mëtejshme.