Edison Oruqi, baba i tre fëmijëve, është gjetur i pajetë në ujërat e lumit të Shalës në Koman. Kanë qenë familjarët e të ndjerit ata të cilët kanë mundur të gjejnë trupin e pajetë të burrit, paraditen e të mërkurës.
Ata kërkojnë ndihmën e polumbarëve për nxjerrjen e trupit të pajetë nga uji, pasi ata vetë e kanë patur të pamundur të bëjnë diçka për shkak të rrjedhës së ujit.
Babai i tre fëmijëve, banues në lagjen “Kiras” të Shkodrës, u zhduk në mënyrë misterioze ditën e shtunë, 5 ditë më parë. Ai ishte duke punuar në një bujtinë.
Sipas hetimeve paraprake, Edisoni po punonte në një bujtinë në zonë, në punë ndërtimi. Ka dyshime se personi që e ka punësuar të ndjerin, pas përfundimit të punës e ka shoqëruar me varkën e tij, por nuk e ka lënë në destinacion por në një gadishull të vogël me rërë e rrethuar nga uji. Denoncimi për zhdukjen e Oruqit u krye nga kolegu i tij i punës. Tanime pritet që hetimet e thelluara mbi rastin të nxjerrin të vërtetën e plotë mbi rrethanat e vdekjes tragjike të babait të tre fëmijëve.