Në shtator të vitit të kaluar, një 21 vjeçar ra në prangat e policisë pasi u zbulua se ishte ‘martuar’ me një vajzë 13 vjeçare, ndërsa të dy prisnin të bëheshin prindër. 13 vjeçarja ka sjellë në jetë fëmijën, ndërsa 21 vjeçari pret nisjes e gjyqit në Korçë, atje ku prokuroria e akuzon të riun për vepër penale që mund t’i kushtojë 25 vite burgim.
Por familjarët e djalit si dhe nusja e tij , po kërkojnë nga autoritetet lirimin e 21 vjeçarit, me pretendimin se lidhja mes tyre ka qenë e pranuar nga palët dhe pjesë e një tradite e komunitetit rom. Gjyshja e 21 vjeçarit tregon se po kalon kushte shumë të vështira, pasi është ajo që po ndihmon nusen me foshnjen e vogël përmes pensionit të saj.
“Djalin e kemi martuar me marrëveshje me prindërit e gocës dhe kemi shkuar në Milot. U panë, e morëm e sollëm. Lindi nusja 13-vjeçare. Ne e kemi si traditë që martoheni shpejt. Çfarë ka bërë djali? As ka vrarë, as ka therur, asgjë s’ka bërë, bënë një foshnjë dhe djali as e ka parë gocën fare. Sa e lindi e pa edhe e morën e ikën. Duam një orë e më parë të zgjidhni këtë problemin e këtij djali që është jetim e pa nënë. E mbaj unë nusen me gjithë fëmijë. 25 vite burg kërkoi Prokuroria, por çfarë ka bërë djali? Ka vrarë, ka prerë? Tani po vriten e po theren edhe po i nxjerrin nga burgu. Ne jemi fukarenj, në kasolle po rrimë. Ju lutemi, unë jam një pensioniste, të mbaj gocën me gjithë nusen? Çfarë ka bërë nipi im? Kërkoj mëshirë që të ma lirojnë djalin sa më shpejt”, thotë e moshuara.
“Unë e mbaj nusen me foshnjën, jam 73 vjeç me një pension 140 mijë lekë. Shkoj në dyqan e marr borxh paketa cigare që ja çoj djalit në burg. Vajzat tek ne i marrim 14 vjeçe. 7 nipër kam martuar, nuset kanë qenë 12-14-13 vjeç. Ne e kemi traditë, komuniteti jonë. Më ndihmoni të më nxjerrin djalin nga burgu se vetëm unë me pension nuk e mbaj dot nusen e foshnjën”, tregon e moshuara.
Nusja, aktualisht 14 vjeçe, shprehet se ishte 21 vjeçari ai që punonte dhe mbante familjen.
“Vetëm burri punonte, edhe ditën edhe natën. Ditën shkonte punonte te fusha e druve, e natën punonte tek plehrat. Pse tani Prokuroria ka dhënë 25 vite, për çfarë arsye? Mua më ka dhënë vetë prindërit me duart e veta, nuk më ka marrë me dhunë. Unë dua të më lirojnë burrin, se nuk ka kush më ushqen. Unë vetëm me nënën rri, ai është i pafajshëm e nuk më ka marrë me dhunë që t’i vendosnin 25 vite. Ai nuk ka bërë asgjë. Burri nuk e ka parë vajzën, as unë nuk kam shkuar dot ta takoj. Unë kam 5 muaj që se kam parë, më ka marrë malli, as çupën nuk e ka marrë dot në krahë. Unë dua thjesht të ma lirojnë. Çfarë është kjo drejtësi që i ka dhëne 25 vite. Ai nuk ka ndjerë erën e fëmijës së vet, çupa po rritet jetime pa baba. Dua të më lironi burrin, asgjë s’dua tjetër”.