U ndje keq gjatë seancës në gjykatën e Apelit, avokati  humb jetën në spital

Një avokat ka humbur jetën në rrethana tragjike këtë të martë në spitalin e kryeqytetit, fill pasi u ndje keq gjatë një seancë gjyqësore që po zhvillohej në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Njoftimin mbi rastin e ka përcjellë përmes një komunikate zyrtare Gjykata Apelit, e cila sqaron në njoftim se avokati Gjovalin Ulndreaj shfaqi probleme serioze shëndetësore gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore, në një prej sallave të Gjykatës së Apelit.

“Sot në datë 28.01.2025, rreth orës 12:00, në një prej sallave të gjykimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, po zhvillohej një gjykim penal ku merrte pjesë në cilësinë e mbrojtësit edhe avokati z. Gjovalin Ulndreaj, anëtar i Dhomës së Avokatëve Shkodër.

Gjatë zhvillimit të gjykimit, avokati ka shfaqur probleme serioze shëndetësore, duke sjellë ndërprerjen e menjëhershëm të procesit dhe dhënien e ndihmës së parë nga personat e pranishëm, deri në mbërritjen e shërbimit të Urgjencës QSUNT Tiranë.

Në vijim të komunikimit me familjarët e avokatit, u bë me dije se, fatkeqësisht avokati kishte ndërruar jetë në ambientet e spitalit.

Trupa gjyqësore e kësaj Gjykate dhe stafi administrativ, duke vlerësuar kontributin në procesin e dhënies së drejtësisë, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta të afërmve të të ndjerit avokatit Gjovalin Ulndreaj.”-njoftoi gjykata Apelit.