Kina sfidon SHBA me “Deepseek”, si humbën 600 miliardë$ gjigandët e teknologjisë prej aplikacionit falas

Një aplikacion i inteligjencës artificiale prodhuar në Kinë dhe i quajtur ‘DeepSeek’, ka tronditur industrinë e teknologjisë në glob, duke u bërë brenda pak ditëve aplikacioni më i shkarkuar në të gjithë dyqanet online.

Aplikacioni i cili mund të shkarkohet falas, ka sfiduar gjigandët teknologjikë në SHBA si ChatGPT i kompanisë ‘OpenAI’ e të tjera kompani të mëdha që janë duke zhvilluar e perfeksionuar produktet e tyre të modeleve gjenerative të inteligjencës artificiale.

Me daljen në treg të DeepSeek, aksionet e Nvidia-s, ndër projektuesit më të mëdhenj të qarqeve të inteligjencës artificiale në botë, ranë me afro 17% në fundjavë. Përkthyer në shifra, grupi humbi 600 miliardë dollarë në vlerë tregu, duke shënuar rënien më të madhe në historinë e bursës amerikanë sipas agjencisë Bloomberg.

Kjo valë e madhe ndryshuese i atribuohet gjerësisht një aspekti të thjeshtë, kostove. Kompania Open AI, e cila konsiderohet të jetë në krye të garës për inteligjencën artificiale, tha se ka shpenzuar vitin vetëm e kaluar një shumë prej 5 miliardë dollarësh. Prodhuesit e ‘DeepSeek’ nga ana tjetër, deklaruan se modelin e tyre të inteligjencës artificiale e kishin krijuar me një kosto prej 5.6 milionë dollarësh.

Luhatjet në tregjet e teknologjisë vijnë në një kohë kur Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, takoi krerët më të rëndësishëm të kompanive të teknologjisë. Ai tha se ngritja e kompanive kineze përbënte një sinjal të madh alarmi për industrinë amerikane të teknologjisë dhe hegjemoninë e tyre.