Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e të enjtes në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet, atje ku një 46 vjeçar u godit me thikë nga një person, i cili tanimë është vënë në prangat e policisë.
Autor i ngjarjes është 42 vjeçari Arben Cokaj. Ky i fundit goditi me thikë 46 vjeçarin G..Krasniqi, pas një konflikti për motive të dobëta. I plagosuri ndodhet aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Njoftimi:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit mbremjen e djeshme se në rrugën “Siri Kodra”, rreth orës 20:30, kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me mjet prerës një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën duke formuar një grup hetimor të posaçëm me qëllim kapjen e autorit dhe dokumentimin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua shtetasi A. C., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 42-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës shtetasin G. K., 46 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.