Në seancën fillestare, mbajtur të premten në gjykatën themelore të Prishtinës, Naim Murseli ka deklaruar se është “plotësisht i pafajshëm” për akuzën e planifikimit për vrasjen e të shoqes, Liridona Ademi.
I akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla, tha se nuk do të deklarohet pa u konsultuar me avokatin, ndërsa i akuzuari për kryerjen e vrasjes së Liridonës, Granit Plava, tha se zgjedh të mbrohet në heshtje. Ndërkaq, Tom Dodaj, personi i cili i shiti armën Naim Murselit, pranoi fajësinë dhe për të u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Për veprën penale, ai mund të dënohej deri me tetë vjet burgim.
Gjatë seancës, prokurori i rastit lexoi aktakuzën, duke thënë se Naim Murseli i kishte premtuar 30 mijë euro Granit Plavës, për të kryer vrasjen e Liridonës. Po sipas aktakuzës, Murseli e ka mbajtur për krahu të shoqen në momentin kur Granit Plava është afruar për të vrarë Liridonën.
Në përfundim të seancës, avokati i familjes së Liridona Ademajt, u shpreh i lumtur që shqyrtimi fillestar shkoi konform ligjit.
I pyetur nëse familja e Liridonës prisnin që Naim Murseli të deklarohej i pafajshëm, ai tha se provat në aktakuzë “janë aq të qarta sa që edhe sikur të pranonte, nuk do të ishte diçka e re. Edhe mospranimi i fajësisë është diçka e pritshme, por edhe sikur ta pranonte nuk do të ishte çudi”.