Mallakastër: Dy vëllezërit e moshuar gjenden të pajetë në shtëpinë e tyre

Një ngjarje e rëndë është raportuar këtë të hënë në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Dy të moshuar, vëllezër mes tyre, janë gjetur të pajetë në banesë. Fjala është për Sabri e Novrus Velajn, përkatësisht 90 e 85 vjeç.

Policia ka dhënë një njoftim paraprak, ku thotë se nga të dhënat e deritanishme, nuk ka sinjale për një ngjarje kriminale.

“Mallakastër/Informacion paraprak-Rreth orës 11:00, në fshatin Çorrush, Mallakastër, në banesën e tyre, janë gjetur pa shenja jete shtetasit S. V., 90 vjeç dhe N. V., 85 vjeç(vëllezër), të cilët jetonin të vetëm.

Paraprakisht nuk dyshohet për ngjarje kriminale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.”-njoftuan autoritetet.

“Kishin një javë pa i parë, mora shkallët…” Flet kryeplaku i fshatit, si u gjendën të pajetë dy vëllezërit e moshuar

Kryeplaku i fshatit Çorrush në Mallakastër ka treguar për median se çfarë arriti të shohë në momentin kur u lajmërua se dy vëllezërit e moshuar, Sabri e Novrus Velaj, me gjasë kishin humbur jetën në banesë. Kryeplaku tregoi se e kishin njoftuar se vëllezërit kishin 1 javë që nuk ishin parë me, ndërsa së fundmi, era e rëndë e trupave të pajetë, ndihej edhe jashtë shtëpisë.

 “Më lajmëroi kryeplaku i lagjes Barjam Allkaj, se një prej gjitonëve të të moshuarve e ka njoftuar se prej një jave nuk i kanë parë të dy vëllezërit, ndaj erdha menjëherë për të parë nga afër situatën.

Dera ishte e mbyllur dhe mora një shkallë ku munda të shoh nga dritarja. Njëri prej tyre kishte rënë në mes të korridorit, ndërsa tjetri paksa i zhveshur, por nuk arrita t’i dalloj mirë.

Era e trupave ndihet edhe jashtë banesës ka thënë Zeneli, gjë që tregon se mund të kenë ndërruar jetë prej disa ditësh. Të dy vëllezërit jetonin të vetëm me pensionet e pleqërisë”, tha kryeplaku.