Shtruar në spital me leuçemi akute, Lediani 13 vjeçar ka nevojë për ndihmë

Dëshiron të shkojë në shkollë, por qëndron në shtrat të spitalit. Do të luajë me shokët e shoqet, por dhimbjen e vuajtjet ka tanimë bashkëshoqërues të përditshëm. Do të ikë në shtëpi, të shohë të qeshur anëtarët e familjes, por veçse lotët e tij e të prindërve sheh pranë.

Me këtë dramë të madhe përballet Ledjani, i cili ende është një fëmijë. 13 vjeçari është diagnostikuar me leuçemi akute dhe prej kohësh tanimë është shtruar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mjekët i kanë thënë familjes së shanset për ta shpëtuar në atdhe janë të pakta. Të pikëlluar nga lajmi i rëndë dhe pa forcë përballë kostove të larta të kurimit jashtë shtetit, nëna e babai i 13 vjeçarit po u drejtohen për ndihmë shqiptarëve bamirës.

Ledjani nuk mundet dot më as të ecë, ndryshe nga sëmundja që e ka kapluar dhe po vrapon me shpejtësi për t’i marrë jetën 13 vjeçarit.