Përplasi me makinë këmbësorin, i moshuari humbi jetën në spital… arrestohet 52 vjeçari në Elbasan

Një 52 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Elbasanit, pasi ka përplasur për vdekje me makinën e tij një këmbësor në rrugën e fshatit Shijon. Viktima, një 68 vjeçar i identifikuar me inicialet B.Rr, u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht humbi jetën prej plagëve të marra. Aksidenti i rëndë ndodhi ditën e mërkurë.

“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit: S. I., 52 vjeç, banues në Elbasan, pasi ditën e djeshme, në fshatin Shijon, duke drejtuar automjetin, ka përplasur shtetasin B. Rr., 68 vjeç, këmbësor, i cili për pasojë ka humbur jetën në spitalin e Elbasanit”, njofton policia.

Zyrtarët shtonin se materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit për veprime të mëtejshme.