Një faqe anonime e zotëruar nga persona ende të paidentifikuar, ka sjellë shqetësime serioze në mesin e një numri të lartë minorenësh e adoleshentësh në qytetin e Korçës. Faqja e cila taninë është arritur të mbyllet, ka postuar shpesh herë materiale denigruese për adoleshentët, madje mes posteve, edhe video apo foto intime, duke shtyrë një sërë minorenësh që të ndërmarrin edhe akte ekstreme si vetëvrasja.
Pjesë e postimeve kanë qenë dhjetëra të rinj të vënë në shënjestër të sulmeve e publikimeve të materialeve denigruese. Siç tregojnë vetë disa nga vajzat që janë shënjestruar, faqja hapet e mbyllet shpesh, ndërsa postimet atje kanë për qëllim që të ofendojnë njerëzit, t’i bëjnë të ndihen keq dhe t’i fusin në një vorbull që ka shtyrë plot të rinj drejt gjendjes së ankthit, depresionit apo më rëndë akoma.

“Kjo faqe është denigruese dhe shpif. Shkruan, poston foto nudo, imazhe të personave të ndryshëm. Përmend emra mbiemra, me ke rrinë, madje ka nga ato që postojnë familjarët. Është shqetësuese kemi një familje, prindër, kushërinj, ndijehemi të kërcënuara. Aty çfarë nuk hedhin, njoh vajza që kanë dëmtuar veten e tyre duke prerë damarët”, -tregon një vajzë.
Një tjetër minoren tregon se e kishte zbuluar rastin pasi një shok i kishte treguar se emri tij kishte dalë në profilin anonim në rrjetet sociale.
“Sa e zbulova, kjo faqe u hap një ditë para se të më hidhnin mua, më tha një shok shiko se të kanë hedhur tek kjo faqe dhe e lexova, u ndjeva shumë keq kur e lexova se më ulën shumë, ishin gjëra kot pa lidhje. Nxirrte shumë foto të vajzave nudo, shumë budallallëqe, shumë gjëra që nuk ishin të vërteta. Mua më përfshinë me një vajzë që kam qenë i lidhur më parë, pastaj të hapnin name te faqja, jo me filanin me këto…shumë keq, jam mërzitur shumë, nuk më ka pëlqyer fare. Kam shumë shoqëri që i kishin nxjerrë aty, shumë shokë e shoqe, mesa di unë ata e kanë përjetuar shumë keq, si mua, edhe mua nuk më erdhi mirë kur e lexova atë gjë.”-tha ai.
“Kjo faqe është hapur për shumë persona duke i bullizuar, shtantazhuar, me fjalë e taktika të ndryshme. Dua të ankohem sepse jam prekur edhe unë, dua të gjendet personi sepse nuk është rasti i parë që ndodh në Korçë, ata nxjerrin foto të vajzave, që kryejnë marrëdhënie seksuale, merren me djem të ndryshëm. Kam bërë denoncim në polici dhe thanë se janë në kërkim të një personi por nuk është gjetur. Jam kërcënuar, ‘dërgo foto, do të të vij në shtëpi do të të hedh foto’, të të tallin”, tregon një vajzë e prekur nga fushata.
“Është një faqe qe ka hedhur gjithë vajzat e qytetit të Korçës të cilat i ulin, nxjerrin gjëra banale, këtu foto dhe familjen e tyre. Jemi mërzitur sepse shumë vajza kanë tentuar vetëvrasje. Ndihemi të kërcënuara e mërzitura se nuk i kemi bërë vërtet ato, kur dalim me rrugë nuk duam të na i bëjnë me gisht”, shprehet një tjetër.
Denoncimet kanë qenë të shumta mbi faqen në fjalë. Nga hetimet e kryera, duket se faqja menaxhohet nga disa persona, të cilët angazhohen në postimin e materialeve denigruese në orët e vona të natës. Në hetime, veç policisë së Korçës, është përfshirë dhe sektori i Krimit Kibernetik në Tiranë. Ende nuk dihet se sa është numri i fëmijëve dhe adoleshentëve të prekur nga kjo fushatë.