Një ngjarje e rëndë është mundur të parandalohet në fshatin Godolesh të Elbasanit, atje ku një kryefamiljar ka rrahur të shoqen dhe ka tentuar të godasë me sëpatë të birin 10 vjeçar. Me të marrë njoftimin se një 49 vjeçar po ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes, oficerët e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Kryefamiljari është arrestuar në flagrancë nga patrulla.
“ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit për një rast të dhunës në familje, në fshatin Godolesh, kanë ndërhyrë menjëherë me qëllim për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. V., 49 vjeç, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe ka tentuar të godasë me sëpatë djalin e tyre 10 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.