Ka shkuar në dy numri i viktimave nga një aksident i rëndë që ndodhi ditën e mërkurë në Shëngjin. Bashkëshortja e 30 vjeçarit Paulin Zefi, shtetasja Zhaklina Hysa, ka ndërruar jetë në spitalin e traumës në Tiranë. E ndjera nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të rënda të marra, pasi makina e çiftit u përplas me një kamion.
30 vjeçari humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa aksidenti ende po hetohet nga autoritetet.

Paraprakisht dyshohet se shkas për aksidentin ka qenë shpejtësia e lartë e automjeteve si dhe prezenca e lagështirës në rrugë, e cila ka vështirësuar manovrimin e mjeteve.

Njoftimi:
Në vijim të informacionit të dhënë pasditen e djeshme, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Lezhë-Shëngjin”, informojmë se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. D., 25 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen.
Nga përplasja e kamionit që drejtonte shtetasi Gj. D. me automjetin që drejtonte shtetasi P. Z., 30 vjeç, humbi jetën në vendngjarje 30-vjeçari dhe u dëmtua rëndë pasagjerja në automjetin e tij, shtetasja Zh. H., 40 vjeçe, e cila ka humbur jetën në spital.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.