E strukur në dhimbjen që i ka pushtuar zemrën, kjo nënë e moshuar qan me lot vdekjen parakohshme të të bijës 32 vjeçare. Veshur me të zeza, gjyshe Farijes i shkojnë rrëke lotët sa here përmendet emri i të bijës, Fatmirës.



Ajo rrëfen bisedat e fundit me vajzën, e cila i thoshte se e kishte djegur malli për të përqafuar e puthur dy djemtë e saj. Fatmira i kishte përfunduar kimioterapitë në Italinë fqinje e priste me padurim të kthehej në atdhe… por në atdhe u kthye veçse trupi i saj i pajetë.
“Janë sytë e ballit, e kam pas pas shpirtit. Ajo ka qenë me zell të madh për jetën, kurrë nuk thoshte se jam e ligë, kurrë nuk e trazoi askënd. Thoshte edhe dy tri javë e po më dalin letrat o nënë e po vij e po shoh fëmijët. Jam tharë për ata fëmijë o nënë më thoshte… (qan) kur erdhi puna, s’mujti me i pa me sy, veç iku në atë botë.”-thotë gjyshe Farija.
Vdekja tragjike e Fatmirës ishte veçse e para dhimbje. Pas Fatmira la dy fëmijët e saj. Sot në moshë të thyer e me rrudhat e kohës, gjyshe Farijes i duhet të kujdeset për më të voglin nip, Eidenin 2 vjeçar.
“Më ka lënë dy fëmijë jetimë. 32 vjeçe, me e kalb toka e me lënë këto dy jetimë. Ajo nuk e gëzoi fëmijën, as shtëpinë, kurrgjë, veç dy metra dhe. Ai (varri) s’ka kenë vend për të (qan). Me i gëzuar këta fëmijë, me gëzu nënë e babë, me gëzu burrë e të tanë. “-thotë e moshuara mes lotëve.