Iku për kurim me inkubator dhe u rikthye në krahët e nënës, historia përlotëse e Melisës

Për 5 vite me radhë Kristiana tentoi të bëhej me fëmijë… dhe një ditë, kur shpresat i kishte braktisur, mësoi se kishte mbetur shtatzënë. Ajo ishte dita më e lumtur për Kristianën, e cila përgjatë muajve të shtatzanisë i këndoi foshnjes që rritej.

Në një rrëfim emocional për emisionin “Për Shqiptarët”, Kristiana rrëfen momentet më të gëzuara, momente të cilat do të përfundonin në muajin e shtatë e do të rezervonin shumë vuajtje për të.

“Kemi 10 vjet që jemi të martuar. Jemi njohur kur kam qenë 20 vjeç. 5 vitet e fundit kërkonim që të bëheshim prindër. Mërzitesha sepse nuk po arrinim dot. Në një moment që nuk e prisnim fare, që e kisha fjetur mendjen, morëm lajmin. Prisja një vajzë.

Unë kërkoja një emër luleje. Emri Melisa bëri bum (qesh) i flisja gjithmonë në bark, Melisa dhe i këndoja këngën “eja sa më shpejt ti, eja në këtë jetë ti”… dhe ndoshta Melisa e dëgjoi këtë dhe erdhi në muaj të shtatë (qesh).

Shikoj videot në internet… doja ta merrja në krah, të kisha kontaktin e parë me të, t’i merrja erë, t’i dëgjoja të qarën, ti jepja gji. Gjë që me Melisën nuk ndodhi. Direkt sa lindi shkoi në inkubator. Mezi prisja ta merrja dhe nuk e mora kurrë në krahë. E prekja nga ai kuadrati vogël. Edhe pse ka qenë në gjumë, më dukej gjithmonë sikur më dëgjonte.

Ndonjëherë kur e fërkoja pak, sikur reagonte. Ka qenë gjithmonë në gjumë. Edhe kur ka patur raste që ka hequr tubin, nuk i dilte zëri… intubohu, riintubohu përsëri. Kanë qenë… muaj të vështirë (përlotet).”-rrëfen nëna.

Kristina tregon se dita e hënë ka qenë përherë një ditë e rëndë, një ditë që ajo me shpirt donte ta evitonte. Sepse në shumë ditë të hënash, Melisa vogël sëmurej edhe më tutje, e në disa raste, shkonte në buzë të greminës. Por fatmirësisht, vuajtjet e Melisës së vogël do të ndalonin shumë shpejt.

“Ditën e hënë e kisha shumë tmerr, sepse i kanë ndodhur shumë gjëra. Çdo të hënë kemi marrë nga një lajm të keq, qoftë kur u shtrua e bëri operimin, qoftë ditën që bëri muajin… kur bëri 2 muajshe Melisa pësoi brakikardi… kisha gjithmonë frikë. Por mendoja se, Zoti, pasi ma dha pas 5 vitesh përpjekje, nuk do të ma merrte. Mendoja se do të kalonin. Shumë raste kisha parë në spital, që kanë ikur me ndihmën e Fondacionit Firdeus. Thash që do ta provoj. Nuk e besoja që do të më përgjigjeshin aq shpejt. Ndodhi bam bam, ndonjëherë, i ka shkruar Zoti këto gjëra.

Pata frikë, se thoja nuk e di a do të mblidhen paratë. Kur u hap llogaria, kam qenë në frikë. Tim shoqi i thoja u shtuan dhe kaq, u shtuan dhe kaq.  Çdo gjë është bërë brenda 24 orëve, ajo ka qenë lumturia më e madhe. Aty mendova vërtetë se shqiptarët janë bujarë. Nga ai moment isha shumë e lumtur dhe mendoja se aty mbaroi çdo gjë. Mendoja se do të shkonim si me pushime, do të shërohemi e do të vijmë… gjë që kështu ndodhi me të vërtetë. “-tregon Kristiana.

Melisa udhëtoi me të ëmën drejt spitalit Bambino Gesu në Italinë fqinje. Kurimi zgjati muaj. E sa më shumë të hëna kalonin tanimë, aq më shumë i shtohej shëndeti Melisës. ‘Mallkimi’ i ditëve të errëta, plot vuajtje e dhimbje, kishte përfunduar. Kristiana kujton momentin kur mori për herë të parë në krahë të bijën, një çast që e ruan në zemër si flori të paçmuar.

“Kur shkuam ishte pak e vështirë. Një ditë ishte mirë, një ditë jo. Por atje ka qenë kontakti im i parë me Melisën. Kur e kam marrë në krahë, aty kam ndjerë një ringjallje. Ka qenë ndjesia më e bukur. Vetës i thashë aty, u bëra nënë. Unë u ktheva duarplot. Falenderoj Zotin, të gjithë shqiptarët dhe fondacionin, se pa fondacionin firdeus nuk do të ishim.”-tregon nëna e Melisës.