Studion e emisionit “Për Shqiptarët” e zbukuroi drita e këtij ëngjëlli të vogël.




Alea sot gëzon shëndet të plotë pikërisht falë bamirësisë së shqiptarëve. Në krahë e mban gjyshja e saj e moshuar.
Ajo është e veshur me të zeza sepse humbi të shoqin në një aksident. I moshuari po kthente nga shkolla mbesën, Amelian, kur makina i përplasi të dy.
Sot kjo e moshuar pret me padurim rikthimin e Amelias, sepse për herë të dytë shqiptarët bënë të mundur një mrekulli tjetër. Amelia kreu 32 operacione në atdhe e s’mundi dot të çohej në këmbë. Tanimë ajo është në metrat e fundit të kurimeve në Italinë fqinje dhe do të rikthehet me këmbët e saj në atdhe.
E kur Amelia më në fund të rikthehet me nënën e saj, të dyja do të bashkohen me pjesën tjetër të familjes në të njëjtën shtëpi të ngrohtë. E kjo është dhe e treta mrekulli e shqiptarëve, sepse mijëra e mijëra zemra u bënë bashkë dhe i dhuruan kësaj familja të varfër nga Burreli, një banesë të re me të gjitha kushtet.
Sot kjo gjyshe e cila të shumta i pati sprovat në moshë të thyer, pret mbesën e madhe dhe falenderon nga thellësia e zemrës, me fjalët më të ëmbla, të gjithë ata që bënë të mundur tre mrekulli, njëra pas tjetrës, për familjen e saj.
“Jam shumë e lumtur, krenare jam për ju Elvis e stafin tuaj. Me Zotin para, ju bëtë të gjithë këto mrekulli. Alean ma shëndoshët, Amelian ma përmirësuat, do të ma sjellin në këmbë, shtëpinë ma dhatë… jam shumë e lumtur, nuk kam fjalë të them më”
E në këtë atmosferë gëzimi, surprizën na e bëri Amelia vogël. Ajo ndodhet në Itali dhe vijon kurat. Pas 32 operimesh e vuajtjesh pafund, Amelia nuk ka veçse buzëqeshje për të dhuruar… aqsa çdo doktor në Italinë fqinje që e ka ndjekur, vizituar e kuruar, e thërret me përkëdheli ‘karamele’. Kjo vogëlushe është drejt shërimit dhe fatmirësisht dhimbjet janë një kujtim i largët. Po pret me padurim të rikthehet në atdhe, të rinisë fëmijërinë që ia ndërpreu ai aksident tragjik.
Por si ndodhën të gjitha këto mrekulli? Falë njerëzizë, mirësisë dhe zemërgjerësisë së shqiptarëve.
E në këto momente plot gëzim, pasi pa buzëqeshjen e mbesës Amelias, gjyshja thotë se e ka bërë një premtim. Me të ardhur Amelia në atdhe shëndoshë e mirë, ajo do të shtrojë një drekë për Elvis Naçin dhe të tjerë anëtarë të stafit. Në videon e mëposhtme gjeni momentet që sollën të qeshura e gëzim në studio
E moshuara: Si të katundit do ta bëj. Të më vijë Amelia, do ju shtroj një drekë, me Elvisin përpara…
Elvisi: Këtë nuk e kisha dëgjuar unë… a e ke fjalën për të gjithë Top Channel-in apo jo?
E moshuara: Jo mo të gjithë nuk i përballoj dot
(të qeshura në studio)
Sidrit Bejleri: (qesh) Po ta thjeshtoj unë… vijmë, Elvisi, pilafi dhe unë…