Shkodër: 3 vjeçari humb jetën në spital, rëndë e motra 7 vjeçe

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Shkodër, atje ku një fëmijë tre vjeçar ka humbur jetën në spitalin e qytetit, ndërsa e motra 7 vjeçe është dërguar në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Fëmijët janë dërguar një ditë para (premte, 21 shkurt) ngjarjes së rëndë në urgjencë me shenja të virozës. Pasi morën mjekim, babai i ka marrë në shtëpi dy fëmijët.

Të nesërmen (e shtunë22 shkurt) 3 vjeçari ka mbërritur sërish në spital, në gjendje tepër të rënduar. Vogëlushi ka patur puls të dobët e insufiçencë kardiake. Mjekët kanë tentuar ta reanimojnë 3 vjeçarin duke e shtruar në reanimacion, por pak minuta më vonë, i mituri ka ndërruar jetë. Bashkë me djalin, familjarët kanë ardhur në spital dhe me vajzën 7 vjeçe, e cila po ashtu ka shfaqur gjendje të rënduar shëndetësore. Ajo është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Tiranës për trajtim më të specializuar.

Policia ka nisur një hetim mbi rastin, për të zbuluar shkakun e vdekjes së 3 vjeçarit.

Drejtori i Spitalit Rajonal Shkodër, Senad Halluni, tha se babai i të miturit nuk ka pranuar ta shtrojë të birin në spital.

“Shpreh ngushëllimet për humbjen e jetës së 3 vjeçarit Omer Hasmegaj. Ai është paraqitur të premten në orën 16:40, me shenja të të vjellave. Nga mjekja roje është trajtuar për këto simptoma. Rreth orës 19 i është kërkuar familjes për t’u shtruar në spital. I ati ka vendosur firmën për të marr fëmijën dhe për të mos vazhduar trajtimin.

Më datë 22 ditën e shtunë në orën 9:40, 3- vjeçari ka ardhur në gjendje shumë të rëndë pothuajse pa jetë, me puls të ulët. Mjekët janë munduar të bëjnë reanimimin dhe për 45 minuta është bërë çdo përpjekje për ta mbajtur në jetë, por fatkeqësisht 3- vjeçari ka ndërruar jetë. Pas 30 minutash është paraqitur e motra, dhe stafi i pediatrisë ka vendosur ta nisë me urgjencë drejt Tiranës. Janë lajmëruar organet kompetente, ku janë bërë procedurat, për të kryer autopsinë e cila është metoda më e saktë për vendosjen e diagnozës” tha ai.

Njoftimi i policisë:

Më datë 21.02.2025, shtetasi S. H. ka dërguar për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër, 2 fëmijët e tij, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, të dyshuar me virozë stine. Pas mjekimit, shtetasi S. H. dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë.

Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, më datë 22.02.2025, shtetasi S. H. i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit.