Më shumë se 36 tonë kokainë kapen nga autoritetet çdo vit në të gjithë botën. Trafikantët e drogës gjithsesi provojnë mënyra nga më të ndryshmet për ta transportuar lëndën narkotike.
Së fundmi një shtetas nga Kolumbia është ndaluar në aeroportin ndërkombëtar Rafael Nunez, në Kartagjenë të Kolumbisë. 40 vjeçari ishte në pritje të avionit me destinacion Amsterdamin e Holandës.
Gjatë kontrollit në një skander sigurie, autoritetet në aeroport vunë re që diçka nuk shkonte me flokët e 40 vjeçarit. Pas një kontrolli më të imtësishëm, ata gjetën se kolumbiani mbante në kokë një paruke, të cilën e kishte mbushur me qese kokaine. Në total 40 vjeçari po transportonte në paruke 220 gramë kokainë, të cilat nëse do të shiteshin në treg kapnin një vlerë prej 10 mijë eurosh.