Tiranë: Mori zvarrë 20 m policin dhe u largua nga vendi ngjarjes, arrestohet 36 vjeçari

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 36 vjeçar të identifikuar si I.Nokshiqi, i cili përplasi me makinën e tij një punonjës të policisë në kryeqytet.

Ngjarja ndodhi më 25 shkurt në zonën e Freskut, atje ku i riu u ndalua nga një patrullë e policisë. Në debat e sipër me oficerin, 36 vjeçari është larguar me shpejtësi me makinë, duke përplasur policin e rrezikuar jetët e oficerëve të tjerë.

Efektivi i plagosur është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ai ka thyer shpatullën dhe këmbën pasi automjeti e ka marrë përpara për afro 20 metër.

36 vjeçari akuzohet për ‘vrasje të punonjësit të policisë’, mbetur në tentativë.

 “Në vijim të informacionit paraprak të ditës së djeshme, për aksidentin e ndodhur në Fresk, ku për pasojë mbeti i dëmtuar 1 punonjës policie, ju bëjmë me dije:

Rreth orës 17:30, në zonën e Freskut, shërbimet e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë qenë në shërbim, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. N. (i cili u identifikua më pas).

Pas ndalimit të automjetit, drejtuesi ka shfaqur shenja nervozizmi dhe ka filluar të debatojë dhe të kundërshtojë me fjalë punonjësit e Policisë.

Drejtuesi i automjetit është larguar me shpejtësi me automjet duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor shtetasit A. L. dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të tjerë të Policisë.

Për pasojë është dëmtuar punonjësi i Policisë A. L., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Në përfundim të veprimeve është arrestuar shtetasi I. N., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.