“Kur mora vesh se kisha leuçemi, u trishtova. Pashë prindërit duke qarë dhe aty kuptova se asgjë s’po shkonte mirë.”
Këto janë momentet që kujton Amarildo, çaste që i peshojnë në gjoks sot e 5 muaj. Sot e 5 muaj ky 16 vjeçar provoi vuajtjet më të mëdha të jetës, ndërsa sëmundja avancon me shpejtësi për të dërrmuar trupin, organizmin e tij.
Kujton kimioterapinë e parë që bëri pak kohë më parë… kur në duart e tij të pafajshme ranë fijet e flokëve, kur kuptoi se trupi po i rrëzohej dalëngadalë.


Në një rrëfim përlotës, ai tregon për emisionin “Për Shqiptarët” çfarë mban në shpirt, pesimizmin që e kaplon thuajse përditë, frikën se mos nesër, do të jetë e fundit ditë në këtë botë.
“U tremba shumë (qan), mendoja vetëm për keq, gjëra të këqija. Që nuk do të bëhem mirë, që nuk ka shërim. Se do të iki nga kjo botë, pa i realizuar ëndrrat e mia (qan). Shumë e frikshme. Operacione, mjekët që bënin vizita, kimioterapitë… kur shikoja flokët që më binin, thoja a do të bëhem më si më parë. Për shkak të sëmundjes që kam, po vuaj shumë. “-rrëfen Amarildo.