Ulur në një stol të spitalit, atje ku muajt e fundit shumë herë ka derdhur lot e ka bërtitur për të lëshuar peshën e madhe që i ka zënë shpirtin. Në orë të darkës, atëherë kur lutjet drejtuar Zotit i ka pëshpëritur dhjetëra, qindra herë në këto muaj.




“Ditët më të zeza të jetës sime… nuk e imagjinoja dot kurrë se do të më gjente kjo e zezë. Nuk kam lënë shkallë e stola pa larë me lotët e mi. Dilja në dritare, i lutesha Zotit… o Zot, o Zot ma shpëto djalin. Më shikonin njerëzit duke qarë e duke folur (qan me dënesë).”-tregon mes të qarave Behari.
I lodhur e drobitur, ky burrë sheh të birin duke u shuar dalëngadalë prej leuçemisë. Dita më e zezë ishte çasti kur mjekët i dhanë lajmin… mjeku i mori veçmas dhe i tregoi të vërtetën.
“Na mori doktori, na tha. Hajdeni në dhomë, t’ju tregoj për djalin. Na e dha lajmin e zi. Ne u këputëm të dy, burrë e grua ishim aty, u këputëm. Gruas i ra në fikët, unë fillova me i ra në grushte kokës…(qan)
Afrohesh nata e vitit të ri dhe ne ishim në spital lidhur, o Zot… (qan). Neve ishim nëpër spitale. Fëmijët e vegjël ishin vetëm në shtëpi, na merrnin në telefonin, na thonin kur do të vini. Kam pas qejf të shkoj në shtëpi, të shoh fëmijët por jo… as unë nuk e lija Amarildon, e as ai mua, jemi të lidhur shumë. Amarildo është shoku im. U rrit. U bë krahu im. Bënim plane bashkë.”-rrëfen Behari.
Me lotët që nuk gjejnë pushim, Behari rrëfen frikën më të madhe, diçkaqë e ndjen thellë në shpirt e që e tmerron.
“Me vuajtje u rrit e i fortë u tregua… por kjo sëmundje është më e fort se djali. Ma ka dorëzuar djalin, ma ka lodhur shumë. Kam frikë mos më lë fëmija. Unë i lutem (qan) të gjithë shqiptarëve, ku janë e ku s’janë, anembanë botës, të më ndihmojnë për djalin.”-thotë babai.