Fitoi betejën me kancerin, rrëfimi i nënës shkodrane: Falë bamirësisë, sot mundem të rris tre fëmijët e mi

“Për një grua nuk ka gëzim dhe lumturi më të madhe sesa kur Zoti të bekon me tre fëmijë të shëndetshëm… por krejt papritur fëmijët e mi i lëndova padashje, pasi ata u përballën me frikë që mund të më humbisnin mua.”

Është ende në zemër të saj, momenti kur Erkanda mësoi se ishte e prekur nga kanceri.

 “Dy vite më parë unë u diagnostikova me kancer në limfën e gjakut, në rruazat e bardha të gjakut…”-tregon ajo për emisionin “Për Shqiptarët”.

Kështu nisi sprova e kësaj nëne nga Shkodra. E kur mori vesh lajmin se përballej me një sëmundje të rëndë, iu kujtuan dy motrat e ndjera. Pa sesi fëmijët e saj të vegjël mbusheshin në lot, frikësoheshin se ajo mbase do të largohej si tezet.

Si mësuese, kjo nënë nuk kishte kurrfarë mundësie për t’u përballur me kancerin.

“Sëmundja ime ishte në atë stad, që duhej të trajtohej patjetër jashtë shtetit. Dhe ne me të ardhurat tona prej dy mësimdhënësish, nuk e përballonim dot. “-kujton Erkanda.

Por fatmirësisht për këtë nënë nga Shkodra, dolën në dritë e në ndihmë të saj, mijëra e mijëra shqiptarë. Sprova e madhe e Erkandës u bë e njohur për shqiptarët përmes Fondacionit Firdeus. Përmes një letre që Erkanda shkroi, si të fundit lutje për ndihmë. Lutjet e kësaj nëne u dëgjuan.

“Shpresa jonë e vetme ishte të kërkonim ndihmën e të tjerëve që të na gjendeshin pranë. E vetmja zgjidhje ishte t’i drejtoheshim Fondacionit Firdeus.

Fëmijët e mi u lutën, nëna ime u lut dhe lutjet e tyre u pranuan. Shumë faleminderit atyre dhe të gjithë shqiptarëve që kanë kontibuar për rastin tim, me ndihmën financiare dhe lutjet e duatë e tyre.”-tregon Erkanda.

Dy  vite kanë kaluar nga ato kohë të errëta. Sot falë Zotit, e falë bamirësisë së shqiptarëve, sëmundja është mposhtur, kthyer në një memorje në fund të mendjes. Sot Erkanda ndodhet mes nesh, ndodhet pranë të shoqit e si nënë, po rrit fëmijët e saj. Sot Erkanda, i është mirënjohëse kujto që e ndihmoi të fitojë sfidën më të madhe të jetës.

“U jam shumë mirënjohëse Elvis Naçit e të gjithë stafit, që na kanë qëndruar afër me ngrohtësinë e tyre. Për mua ka qenë një garanci shumë e madhe sepse nuk e kanë lënë neve barrën, por e kanë mbajtur ata barrën tonë.

Pas 3 muajsh kurimi intensiv në Turqi, u ktheva pranë familjes, pranë fëmijëve, bashkëshortit e nënës sime, pranë të gjithë familjarëve e të dashurve të mi.”-tregon Erkanda.