Në harkun e 24 orëve, kalvari i bamirësisë bëri bashkë mijëra persona që derdhën lot e ndjenë aq shumë për të, sikur ta kishin prej gjakut të tyre. Në hark të 24 orëve, shqiptarët mblodhën 135 mijë euro për kurimin e këtij djali 16 vjeçar. Me historinë e tij të dhimbshme e sprovën që ka përpara, Amarildo bëri bashkë mijëra.
Këto mijëra zemra, ia mundësuan 16 vjeçarit kurimin… Në momentet e fundit në spital, teksa bëhej gati për t’u nisur në Italinë fqinje, Amarildon e surprizojnë mësuesja kujdestare, shokët e shoqet e klasës. I japin fjalë zemre, mesazhe inkurajimi, ndërsa 16 vjeçari i falenderon për mbështetjen e madhe.



Me Amarildon niset drejt Italisë i ati, Behari. Dy shokët, siç ata e thërrasin njëri tjetrin, do t’i bëjnë ballë betejës me leuçeminë akute, duke u mbështetur tek njëri- tjetri, të pandarë si gjithmonë.



Në hyrje të aeroportit, Fatma Naçi takon Amarildon, ndërsa familjarët e 16 vjeçarit janë të gjithë rreth tij. Disa janë në lot, disa me grimasa buzëqeshje e disa tjerë, të mbushur me shpresë se më e mira do të ndodhë.
Fatma: Amarildo, edhe pak e mbërrin në spitalin më të mirë. Mjekët na kanë premtuar që ti do të gjesh shërim e shpëtim prej të gjitha vuajtjeve që ke patur këto muaj të fundit.
E përlotur dhe mbushur me shpresë, nëna e Amarildos falenderon shqiptarët.
Kadife: Fatma shumë faleminderit për çdo gjë. Falenderoj Elvisin, të gjithë shqiptarët që na kanë mbështetur e kanë kontribuar për djalin tonë. Shumë faleminderit të gjithëve. Shumë shumë faleminderit.
Fatma: Amarildo unë të uroj të gjitha të mirat. Lutjet tona janë për ty, Zoti qoftë me ty Amarildo.
Amarildo: Shumë faleminderit
Tanimë ka ardhur momenti që Amarildo e Behari të nisen. 16 vjeçari shikon se vëllai i tij shpërthen në lot e emocione. Amarildo i afrohet, e përqafon dhe i thotë fjalët prekëse…
“Mos u mërzit vëllai im, se do të kthehem shumë shpejt”.


Lotët e nënës së Amarildos shkojnë rrëke. Ajo nuk do të niset me të birin. I hedh krahët Amarildos dhe e puth mesa ka mundësi.
I lutemi Zotit që të vijë shpejt dita kur lotët e kësaj nëne të përfundojnë… i lutemi Zotit që të vijë shpejt dita, kur do të marrim lajmin e madh se Amarildo ka mundur sëmundjen e do të rikthehet mes njerëzve që e duan.



