“Kemi frikë kur vjen nata…” Rrëfimi i një gruaje nga Turqia, një muaj pas tërmetit të 6 shkurtit

BBC-ja i ka kushtuar një artikull të mbijetuarve të tërmetit të 6 shkurtit në Turqi, duke sjellë rrëfimin e një gruaje që humbi shumë familjarë. Këtë të hënë, bëhet plot një muaj nga dita kur tërmeti solli një tragjedi të jashtëzakonshme për të gjithë Turqinë por edhe Sirinë fqinje, atje ku pati po ashtu mijëra jetë të humbura.

Po sjellim të përkthyer dhe me disa shkurtime, artikullin e BBC-së dhe sesi po jetojnë shumë nga ata qytetarë, që arritën t’i shpëtojnë vdekjes.

………….

“Songul Yucesoy lan me kujdes pjatat dhe enët e tjera, përpara se t’i vendosë ato të thahen… një skenë fare e rëndomtë, veçse ajo është jashtë, ulur nën hijen e shtëpisë së saj të shkatërruar. Godina ka marrë anë, ndërsa çatia e shtëpisë tani ndodhet në oborr.

U bë një muaj nga tërmeti shkatërrues, teksa autoritetet thonë se numri i jetëve të humbura në Turqi po afron në 46,000 viktima. Në Siri më shumë se 6,000 jetë u shuan.

Ata që mbijetuan, përballen me një të ardhme të pasigurt. Një ndër problemet më serioze, është gjetja e një vendi të sigurt. Të paktën 1.5 milionë njerëz tanimë janë të pastrehë dhe është e paqartë sesa kohë do të duhet që të gjendet strehë për ta.

Në qytetin e Samandag, pranë brigjeve të Mesdheut, Songul është e qartë se ajo dhe familja e saj nuk do të shkojnë gjëkundi.

“Është e rëndësishme për ne… çfarëdo që të ndodhë më pas, edhe sikur shtëpia të bjerë e gjitha, ne do të qëndrojmë këtu. Kjo është shtëpia jonë, foleja jonë. Gjithçka kemi, është këtu dhe ne nuk do të ikim”

Shumë mobilje i kanë nxjerrë me kujdes nga shtëpia. Disa objekte që duken normale brenda një shtëpia, ngjajnë çuditshëm tanimë që janë jashtë, në rrugë. Tanimë e gjithë familja po jeton në tre tenda, pak hapa larg shtëpisë së shkatërruar. Hanë dhe flenë aty, ndajnë një furrë të vogël kampimi për të gatuar ushqimin. Nuk ka një tualet të mirfilltë edhe pse kanë mundur ta marrin një bide nga godina e shkatërruar dhe po mundohen ta instalojnë në një kasolle prej druri. Madje kanë mundur të bëjnë dhe një zonë të vogël që shërben si dush. Por të gjitha janë fare bazike dhe mungesa e hapësirës e privatësisë është e dukshme. Për Songul ka qenë një muaj agonizues. 17 nga të afërmit e saj humbën jetën prej tërmetit. E motra ende nuk është gjetur.

“Nuk e dimë se ku është. Nuk e dimë nëse trupi i saj është rikuperuar apo se ku mund të jetë dërguar. Po presim… por nuk mund të mbajmë zi. Nuk po mundemi të gjejmë as të humburit”

Kunati i Songul Husemettin dhe nipi i saj 11 vjeçar Lozan, po ashtu humbën jetën në shtëpinë e tyre në Iskenderun… të dy flinin kur ra tërmeti. Vizituam çfarë kishte mendur atje, një mori me gërmadha. Komshijtë na treguan se tre blloqe me apartamente kishin rënë aty.

“Trupin e Lozan e sollëm këtu”-shpjegoi në heshtje Songul.

“E morëm në morg dhe e sollëm pranë nesh, në Samandag. Huseemettin ishte varrosur, emrin ia gjetëm atje”

Në Adana ndërkohë, u takova me familje që po flinin në dyshekë që ishin shpërndarë në një fushë volejbolli. Në Iskenderun shumë kishin bërë shtëpi të tyren dy trena që ishin parkuar në stacionin e hekurudhës. Ndenjëset janë bërë dyshekët, ndërsa vendet për valixhet, zona ku vendosen gjërat personale. Lotët mbushin sytë e një vajze të vogël, e cila po shtrëngon një jastëk të vogël, në vend të një arushi.

Fëmijët e Songul po ashtu po përballen me vështirësi. Lodrat dhe lojërat kanë mbetur në brendësi të shtëpisë.

“Fëmijët janë të mërzitur, pak gjëra ka për t’i mbajtur të zënë. Ata veçse rrinë vërdallë. Luajnë në telefon dhe shkojnë herët për të fjetur”

Por kur bie nata, atëherë gjërat bëhen edhe më të vështira. Aktualisht nuk ka elektricitet në Samandag. Songul e ka veshur me disa drita (që furnizohen nga drita diellore) tendën e saj të bardhë.

“Vendos disa llamba që të mund të shihen… kemi frikë kur bëhet natë. Nuk kemi elektricitet, gjë që është një problem i madh. Frika është e madhe dhe përgjatë natës ndjejmë pasgoditjet… është e vështirë të të zërë gjumi”

Songul nis të qajë dhe me njërën dorë fshin lotët.

“Jemi njerëz të lirë dhe me lirinë jemi të mësuar, me pavarësinë, me idenë se gjithkush jeton në shtëpinë e vet… por tanimë, këtu jemi tre familje, jetojmë e qëndrojmë në tenda”- na shpjegon bashkëshorti i Songul, Savas.

“Kjo ëstë diçka e re për ne, e ne nuk e dimë se çfarë do të na sjellë e ardhmja. Ka përherë shumë frikë. Shtëpitë tona u rrëzuan e çfarë do të ndodhë më pas? Ne thjesht nuk e dimë”