I bllokuar nga stuhia për 6 ditë… rasti i pazakontë i 81 vjeçarit që mbijetoi duke ngrënë borë dhe biskota

I moshuari në foton e mëposhtme (me të shoqen dhe nipin) quhet Christian Jouret dhe është 81 vjeçar. Pak javë më parë ai ishte nisur me makinë nga shtëpia e tij në mal (në Kaliforni) për të mbërritur tek e shoqja në Nevada, por një stuhi dëbore bëri që ai të bllokohej. Gjatë rrugës makina e të moshuarit mbeti në dëborë dhe Jouret s’mundi të dalë prej aty për 6 ditët e ardhshme.

Për të mbijetuar, i moshuari me profesion matematicien dhe ish punonjës i NASA-s, vendosi të racionojë ato pak resurse që kishte patur në makinë. Vetë ai ishte i veshur me një jelek të hollë dhe kishte me vete disa biskota e kruasantë. Për afro 4 ditë, i moshuari mundi të mbajë veten ngrohtë duke ndezur e fikur makinën, derisa bateria e makinës mbaroi. Për të shuar etjen, i moshuari hëngri borë për 6 ditë me radhë, derisa një helikopter e pikasi dhe mundi ta nxjerrë nga automjeti (më 2 mars).

 Me ta dërguar në spital, mjekët u surprizuan kur panë se i moshuari nuk kishte asnjë shenjë hipotermie.

“Kur folëm në telefon po më thërriste me gëzim të madh… ai nuk është person shumë emocional, por besoj se kjo ngjarje e ka bërë të tillë”-tha nipi i 81 vjeçarit në një prononcim për BBC-në, duke shtuar se “unë vete qava nga gëzimi, sepse ndonjëherë ne nuk e kuptojmë dhe i marrim gjërat për të mirëqena”.