Bilanci i viktimave në rrugët e Shqipërisë, 7 jetë të humbura në 48 orët e fundit

Seria e aksidenteve nisi të enjten mbrëma… e deri më tani numërohen 7 viktima, shtatë jetë të humbura në aksidente në rrugët e vendit. E fundit, ishte jeta e një 20 vjeçari nga Dibra, i cili udhëtonte si pasagjer në makinën e mikut të tij 18 vjeçar.

“Sot (e shtunë), rreth orës 14:15 në rrugën dytësore të fshatit Melan, shtetasi R.K., 18 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Golf”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe mjeti ka dalë nga rruga. Si pasoje e aksidentit ka humbur jetën pasagjeri shtetasi A.S., 20 vjeç.”-njoftuan autoritetet.

Bilanci

Mbrëmjen e së enjtes një makinë e drejtuar nga një 20 vjeçar “fluturoi” nga një mbikalim në Tiranë e ku për pasojë humbën jetën ai vetë dhe dy vajza në të 20-tat.

Pa bërë ende 24 orë, dy viktima të tjera në mesditë. Në Durrës një kalimtar u shtyp nga një betoniere, ndërsa në Kavajë një 30 vjeçare humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në kanal.

Po të premten në mbrëmje, një kalimtar 39 vjeçar u përplas në aksin Korçë- Pogradec, ndërsa shoferi u largua nga vendngjarja.